Bruksel, 24 shtator 2025 – Në dyvjetorin e sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë, Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se ky sulm ishte kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.
“Sulmi në Banjskë, i cili u krye dy vjet më parë nga serbë të armatosur të Kosovës kundër Policisë së Kosovës, kërcënoi seriozisht sigurinë e rajonit. Sulmi i tmerrshëm atë ditë mori jetën e një polici, ndërsa dy të tjerë u plagosën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, në një përgjigje për televizionin e pavarur serb N1.
“Ne presim që autoritetet serbe t’i arrestojnë dhe t’i ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë”, ka shtuar ai.
Zëdhënësi i BE-së ka shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë në tubimet proqeveritare në Serbi.
“Jemi të shqetësuar për akuzat për pjesëmarrjen e sulmuesve në demonstrata”, ka thënë ai.
Disa nga 45 të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin në Banjskë, të cilët janë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, janë parë në tubimin proqeveritar në qendër të Beogradit. Udhëheqësi i grupit të armatosur që e ka kryer sulmin në Banjskë, Millan Radojçiq, është parë duke kërcënuar mbështetësit e protestës antiqeveritare në Kosjeriq.
(r.m.)