Prishtinë, 23 korrik 2024 – Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka arritur të martën në Kosovë.
Kjo është vizita e parë e saj në Kosovë.
Në Aeroportin e Prishtinës, ku është mirëpritur me shumë ngrohtësi dhe kureshtje, ajo ka thënë është shumë e emocionuar që gjendet në Kosovë.
“Jam shumë e emocionuar që jam këtu”, ka thënë Bebe Rexha, në një intervistë të shkurtër për Telegrafin.
Ajo ka thënë se “ky është vetëm fillimi” i një udhëtimi të saj të mbushur me plane për të eksploruar dhe për të performuar për fansat e saj të zjarrtë në Kosovë.
Bebe Rexha ka thënë se ky udhëtim është më shumë se një vizitë e thjeshtë. Ajo ka treguar se bashkë me prindërit e saj, të dy me origjinë nga trevat shqiptare, kanë planifikuar të kalojnë kohë duke eksploruar qytetin.
“Do të shkojmë të hamë ushqim të mirë, të shohim qytetin dhe jam shumë e emocionuar për këtë”, ka thënë ajo.
Bebe Rexha do të performojë për herë të parë në Kosovë, në festivalin “Sunny Hill 2024”, një ngjarje që mbledh artistë të njohur nga mbarë bota. Ajo ka premtouar se do të ketë një performancë të paharrueshme, të mbushur me surpriza dhe momente të veçanta që reflektojnë kulturën shqiptare.
“I kam disa surpriza për të cilat jam shumë e emocionuar. Për mua është shumë e rëndësishme të bashkëpunoj me kulturën time”, ka thënë ajo, duke shtuar se do të sjellë “diçka unike” për audiencën kosovare.
Fansat e Bebe Rexhës në Kosovë e presin me padurim performansën e saj në Prishtinë dhe ajo tha se mezi pret t’i kënaqë ata.
“Dua të them vetëm se i dua të gjithë fansat e mi këtu, në Kosovë. Jam shumë e emocionuar dhe mezi po pres”, është shprehur ajo.
Vizita e Bebe Rexhës në Kosovë nuk përfundon me performancën e saj në festivalin “Sunny Hill. Ajo ka planifikuat të shkojë edhe në qytetin e saj të origjinës, në Dibër, për të marrë pjesë në një ceremoni familjare. Ajo ka shprehur dëshirën të kalojë kohë me familjarë e të afërm dhe të njihet më mirë me rrënjët e saj.
“Kushëriri im do të ketë një syneti. Kështu që unë do të shkoj në syneti. Mendoj se do të qëndrojmë dy-tri ditë”, ka thënë ajo për Telegrafin.
(r.m.)