Beci promovon shtatoren e Mbretëreshës Teutë në ballkonin panoramik mes Shëngjinit e Velipojës

Tiranë, 31 janar 2026 – Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ballkoni panoramik në rrugën mes Shëngjinit dhe Velipojës, pas vendosjes së shtatores së Mbretëreshës Teutë, vepër e artistit Julian Muçollari.

“Ballkoni panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës po merr një vlerë të shtuar, përmes vendosjes së statujës së Mbretëreshës Teutë”, ka shkruar Beci.

“Pozicioni i ballkonit panoramik i jep veprës kuptimin e saj të plotë: nga kjo pikë, vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur Mbretëreshën Teutë në hapësirën që i takon historikisht atë të detit, të qyteteve bregdetare dhe të një trashëgimie që na bashkon”, ka shkruar ai.

Ballkoni panoramik është ndërtuar në rrugën përgjatë vijës bregdetare midis Shëngjinit dhe Velipojës. Kjo rrugë u inaugurua verën e kaluar.

Postimi i plotë i Becit:

Ballkoni panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës po merr një vlerë të shtuar, përmes vendosjes së statujës së Mbretëreshës Teutë. Ky nuk është një vendim territorial, por një zgjedhje që sheh përtej kufijve administrativë, duke lartësuar vetë figurën e Mbretëreshës dhe historinë që ajo përfaqëson.

Pozicioni i ballkonit panoramik i jep veprës kuptimin e saj të plotë: nga kjo pikë, vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur Mbretëreshën Teutë në hapësirën që i takon historikisht atë të detit, të qyteteve bregdetare dhe të një trashëgimie që na bashkon.

Falënderim për artistin Julian Muçollari, që e krijoi këtë vepër, dhe për gazetarin Marin Mema, i cili, si drejtues i fondacionit “Shqipëria tjetër”, e bëri të mundur realizimin e saj. Një falënderim i veçantë edhe për Pjerin Ndreu, kryetarin e Bashkisë Lezhë, me të cilin ky vendim u nda dhe u dakordësua në mirëkuptim të plotë.

Falënderim edhe për qytetarët që reagojnë dhe ndihen të lidhur me historinë dhe simbolet tona. Vetëm duke parë më larg, me qartësi dhe mirëkuptim, mund të ndërtojmë më shumë vlerë për trashëgiminë dhe për vendin tonë.