Prishtinë, 27 mars 2024 – Bedri Hamza është nominuar kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që do të mbahen ato.
Nominimi i Hamzës është bërë nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniq, i cili e ka cilësuar Hamzën si “personalitet të dëshmuar”. Ai ka thënë se me këtë akt u është përgjigjur thirrjeve të qytetarëve të Kosovës “për jetë, mirëqenie dhe të ardhme më të mirë e më te sigurt”.
“Sot, kam nominuar Bedri Hamzën si kandidat të Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër të vendit tonë. Si një personalitet i dëshmuar, Bedriu është përgjigjja jonë ndaj thirrjeve të qytetarëve për jetë, mirëqenie dhe të ardhme më të mirë e më te sigurt! Të priftë e mbara, Kryeministër!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Bedri Hamza është ekspertë i ekonomisë dhe financave. Ai ka qenë ministër i ekonomisë e financave dhe guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Aktualisht ai është kryetar i komunës së Mitrovicës Jugore,
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë duhet tëe mbahen vitin e ardhshëm, por partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme gjatë këtij viti. Por, opozita nuk i ka votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë dhe për shpërbërjen e Kuvendit të dominuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeministri Kurti ka thënë se nuk sheh arsye për të dhënë dorëheqje, por ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur kërkesën e opozitës për shpërndarjen e Kuvendit dhe për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas sondazheve periodike që konsiderohen kredibile, Lëvizja Vetëvendosje do ta fitonte përsëri shumicën, në qoftë se zgjedhjet mbahen tani.
(r.m.)