Begaj: Adem Jashari dhe familja e tij janë guri i themeli të lirisë së Kosovës

Tiranë, 5 mars 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari.

Begaj, në një shkrim në Facebook, ka theksuar se qëndresa dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij shënoi fillimin e një epoke të re në Kosovë.

“Sot në këtë 25-vjetor të betejës së Prekazit, nderojmë me respekt heroin dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, si edhe dëshmorët e lirisë, të cilët dhanë jetën në këtë betejë pas tri ditëve rezistencë dhe heroizëm.

Do të duhej qëndresa dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij që Kosova të fillonte një epokë të re, atë të lirisë dhe demokracisë! Ata janë guri i themelit të lirisë së saj.

Lavdi veprës heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Begaj.

(r.m.)