Begaj: Ballkani Perëndimor përballet me sfida serioze të sigurisë

Tiranë, 6 tetor 2025 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi Procesin e Bërdo-Brionit si “një platformë të rëndësishme rajonale” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ky samit përfaqëson një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit tone”, tha ai në konferencë për medie, në mbyllje të samitit të liderëve të vendeve të rajonit që u mbajt të dielën dhe të hënën në Durrës. 

Begaj tha se në këtë samit është diskutuar për sfidat aktuale gjeopolitike si edhe për rritjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë element thelbësor për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

“Bashkë me liderët e tjerë të rajonit diskutuan sfidat aktuale gjeopolitike, si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si elemente thelbësore për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal”, u shpreh ai.

Begaj tha se në samit është konstatuar se Ballkani Perëndimor përballet me sfida serioze të sigurisë.

“Në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike. Megjithatë, rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë, të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh”, theksoi ai.

Begaj tha se në samit është dfiskutuar edhe për Plann e Rritjes të Bashkimit Evropian, të cilin e ka cilësuar si “mundësi të çmuar” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit tonë përbën një mundësi të çmuar për zhvillim ekonomik, pasi krijon akses në instrumente financiare të Bashkimit Evropian, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim”, tha ai.

Begaj më pastaj u fokusua në progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Samiti i Procesit të Bërdo-Brionit në Durrës u organizua nga Presidenti Begaj, në bashkëpunim me Presidentin e Kroacisë dhe Presidenten e Sllovenisë.

Fjala e plotë e Presidentit Begaj, në konferencën për shtyp:

Përshëndetje të gjithëve!

Së bashku me Presidentin e Kroacisë dhe Presidenten e Sllovenisë organizuam Samitin e Procesit të Brdo-Brijuni-t në Shqipëri.

Ky samit përfaqëson një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit tonë.

Bashkë me liderët e tjerë të rajonit diskutuan sfidat aktuale gjeopolitike, si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si elemente thelbësore për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike. Megjithatë, rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë, të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit tonë përbën një mundësi të çmuar për zhvillim ekonomik, pasi krijon akses në instrumente financiare të Bashkimit Evropian, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim.

Gjithashtu, diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal, me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin tonë, në vendet e tyre.

Në këtë kuadër, vlerësojmë veçanërisht takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit, si një nismë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel rajonal.

Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Brenda një kohe të shkurtër, kemi hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues, çka përbën një njohje konkrete të përpjekjeve tona për reforma, nga forcimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e gjyqësorit, te modernizimi i administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe harmonizimi i politikave ekonomike me standardet e Bashkimit Evropian.

Aspirata e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar.

Integrimi në BE gëzon mbështetjen e gjerë të shoqërisë shqiptare, pasi pasqyron vlerat themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Këto vlera përbëjnë themelet e së ardhmes evropiane që Shqipëria po ndërton me vendosmëri.

Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Në mbyllje, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë pjesëmarrësit e sotëm të takimit dhe në mënyrë të veçantë të falënderoj Presidentin e Kroacisë dhe Presidenten e Sllovenisë për gjithçka, për angazhimin e tyre konstruktiv dhe shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.

VIDEO

(r.m.)