Begaj i kërkon Gjykatës Kushtetuese të zhbllokojë procesin e zgjedhjeve në Tiranë

Tiranë, 15 tetor 2025 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të shpallë “moskompetencë” për dekretin e tij për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe të heqë masën e pezullimit për këtë dekret.

Begaj, përmes një letre dërguar Gjykatës Kushtetuese, ka kërkuar gjithashtu që Kushtetuesja ta rrëzojë ankesën e Erion Veliajt ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

“Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e Begajt.

Letra e plotë:

Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:

  1. Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
  2. Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
  3. Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
  4. Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.

(r.m.)