Begaj: Krenarë që jemi pjesë e NATO-s, aleancës më të fuqishme në botë

Tiranë, 1 prill 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka kujtuar 14 vjetorin e pranimit të Shqipërisë në NATO.

Begaj, në një dedikim në profilin e tij në Facebook, ka thënë se shqiptarët janë krenarë që janë pjesë e aleancës më të fuqishme dhe me të suksesshme në botë. Ai ka thënë se shqiptarët janë krenarë që janë kontribues për paqen dhe sigurinë në botë.

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë”, ka shkruar  Begaj.

Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë në NATO.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

(r.m.)