Tiranë, 4 korrik 2025 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh urimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në platformën X, Begaj ka shprehur mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Shqipërinë, duke theksuar partneritetin strategjik të Shqipërisë me SHBA-në.
Ai ka shfaqur shpresën se marrëdhëniet midis dy kombeve do të forcohen më shumë në të ardhmen.
“Gëzuar 4 Korrikun!
Në këtë ditë feste për miqtë dhe aleatët tanë amerikanë, Shqipëria shpreh mirënjohjen më të thellë për miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, paqes dhe sigurisë globale, duke shpresuar në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy kombeve tona të mrekullueshme”, ka shkruar Presidenti Begaj.
(r.m.)