Begaj në OKB: Zhvillimi i qëndrueshëm është garanci e fortë për një botë në paqe e stabilitet

Nju Jork, 19 shtator 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, që po mbahet në Nju Jork, në prag të fillimit të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë fjalës së tij, Begaj ka thënë se zhvillimi i qëndrueshëm është garancia më e fortë për një botë në paqe e stabilitet.

“Dëshiroj të theksoj se Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar, duke përqafuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transformuese që përfshin zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Zbatimi i agjendës së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) nuk është vetëm një prioritet; është një përpjekje kombëtare kolektive ku janë angazhuar të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë shoqërinë civile”, ka thënë ai.

Begaj ka folur për hapat që ndërmarra Shqipëria për  zbatimin e OZHQ. Në këtë kntekst, ai ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar rezolutën që shpreh angazhimet e shtetit shqiptar për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e OZHQ, si pjesë e rrugëtimit të vendit drejt integrimit në BE, krijimin e Fondit të Përshpejtimit të OZHQ, të financuar kryesisht nga qeveria, por edhe nga nga aktorë e partnerë joqeveritarë.

“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim”, ka theksuar ai në fjalën e tij.

Në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm marrin pjesë kryetarët e shteteve ose tw qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Begaj mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

(r.m.)