Begaj: SHBA – partneri strategjik më i madh i shqiptarëve

Tiranë, 28 korrik 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shënuar 101 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Facebook, Begaj ka shkruar se SHBA-ja është partneri strategjik më i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ai ka thënë se shqiptarët do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Amerikës për mbështetjen e të gjitha projekteve dhe sukseseve madhore të shqiptarëve.

“Në këtë 101-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, shohim me krenari sesi këto marrëdhënie janë gjithnjë e më të forta!

Përgjatë historisë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë në krahun tonë, duke na mbështetur në të gjitha projektet dhe sukseset tona madhore, ndaj për këtë do i jemi përherë mirënjohës.

Gëzuar 101 vjetorin e miqësisë me SHBA-në, partnerin strategjik më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve!”, ka shkuar presidenti Begaj.

(r.m.)