Begaj: Shqipëria mbështet qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë

Prishtinë, 15 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili gjendet në Kosovë në vizitën e tij të parë zyrtare si President.

Zyra e Kryeministrit Kurti njoftoi se Presidenti Begaj ka thënë se Shqipëria i mbështet qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, duke theksuar se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.

Presidenti Begaj ka shprehur gatishmërinë e shqipërisë për rritje të bashkëpunimit bilateral dhe ka premtuar përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai ka shprehur mbështetje edhe për vendimet e Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit për targat e automjeteve dhe për dokumentet personale të identifikimit.

Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, në Kartën e Adriatikut, në Këshillin e Evropës dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në njoftim thuhet se Kurti e Begaj kanë  folur për thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit midis dy shteteve në të gjitha fushat, ndërsa veçohet bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës dhe në fushën e mbrojtjes e sogurisë.

“Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim”, thuhet në njoftiminne kabinetit të kryeministrit Kurti.

(r.m.)