BËJNË FESTË

Nga Muç Xhepa

Muç Xhepa

Hoqi barërat përreth. Fshiu gurin e mermertë. Emrin. Vuri buzët. Germat e gdhendura u lagën. Lot.

– Bija ime, mos u ligështo.

Këmbët s’e mbajtën. U shemb mbi varr.

– Bëjnë festë… me gjakun tuaj. Babë.

Dita Gjuraj u ngrit menatë. Në fakt, s’kish fjetur fare. 28 korrik. Njëqind vite miqësi. Ruajtur në zemër. Hapi televizorin. Tirana veshur me flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Gëzonin. Kërkoi nëpër kanale. Gjeti atë më pranë qeverisë. Spikerja s’reshte së foluri për arritjet e qeverisë socialiste. Ndihma amerikane determinuese. U ul në divan. E zuri trishtimi. Nuk po e ndiqte më. Koha shkonte. Dhe ja, në sallën e zbukuruar me kujdes zunë vend të ftuarit e veçantë. Radhën e parë bijtë e bijat e armiqve të Amerikës. Në mesin e tyre ambasadorja. Amerikane. Dita fshiu sytë. Asnjë nga pasardhësit e “Kompanisë 4000”. Zot, tha me vete, që komunistën ndryshojnë formë dhe natyrë është provuar që në fillimet e shekullit të kuluar, por, që… të pësojnë metamorfozë edhe… miqtë… Shoi televizorin. Te dyqani i luleve zgjodhi buqetën më të bukur. Të gëzonte babanë në ditën e festës.

– Dita ime, janë djalli. Ne pranë Zotit.

Dita shtrëngoi pllakën. Hezitoi ta pyesë.

– Ç’të mundon?

Zëri babait iu bë i ëmbël. Hyjnor. Kur ishte e vogël dhe s’kuptonte përse vuanin aq shumë, të privuar nga gjithçka, e kishte pyetur. Ai, duke ia shkrirë me duar flokët e ngrira e të ngjitura në murin e kasolles nga të ftohtit, i kishte thënë se nuk do të ishte e largët dita e lirisë. Begatisë.

– Ju luftuat.

– U tradhëtuam.

19 nëntor 1950. Ishin përpjekur edhe më parë. Qeveria greke i kishte penguar. I trembej Shqipërisë së çliruar nga pushtimi komunist. Sepse, detyrimisht do të sillte edhe çlirimin e Çamërisë. Por, në 19 nëntor diçka kishte mësuar dhe e lejoi fluturimin nga Athina. I pari i atij lloji. Heronjtë, pjesa më trimërore e “Kompanisë 4000” u ngjitën në qiellin e nxirë. Avionin e drejtonte një polak. Adem Gjuraj, komandanti i njësitit luftarak, e kuptoi menjëherë se po shkohej në vend të pasigurtë për desantim. Njohës i mirë i zonës, i këshilloi trimat të mos hidheshin me parashutë sapo t’u jepej komanda. Sali Dalliut, që kishte pranë, i tha se dyshonte te plani i ekzekutimit. Fusha e Martaneshit, e hapur nga të katër anët, nuk do t’u jepte mundësinë të mbroheshin, nëse do të zbuloheshin nga forcat poshtuese, komunistët.

Sekretari i parë i ambasadës angleze në Uashington, “Kim” Philby, i rekrutuar nga sovjetët gjatë kohës kur ishte student në Kembrixh, rrugës për në shtëpi, ndaloi në një dyqan pijesh alkoolike. Bleu një shishe uiski me etiketë të zezë. Në vilën tek avenyja Nebraska, katin e nëndheshëm, do të festonte bashkë me diplomatin Guy Burges suksesin e kalimit të informacioneve sekrete qendrës në Moskë. Misioni shqiptar ishte njëri prej tyre.

– Trimat qëndruan heroikisht. Unë mora plagë të rënda në këmbë. Bashkë me Saliun mundëm ta çanim rrethimin. Të tjerët mbetën atje, fushën e betejës. Ranë për të mos vdekur kurrë. Për çlirimin e atdheut.

– Babë, por sot po festojnë…

Lotët e mbytën. Vendosi buqetën në mermerin e bardhë dhe qëndroi aty derisa ra nata.