Prishtinë, 5 mars 2026 – Bekim Jashari, djali i heroit të Kosovës Hamëz Jashari, ka treguar se çfarë i kishte thënë babai i tij, në bisedën e tyre të fundit, më 3 mars 1998.
Bekim Jashari, në një postim në Facebook, ka treguar se “babushi” i kishte thn se Serbia do ta sulmonte familjen Jashari “me krejt çka kanë”, por ajo do të rezistonte deri në fund.
“… kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta… Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu”, ka shkruar Bekim Jashari.
Ai ka theksuar se parashikimi i babait të tij doli i saktë dhe për atë çfarë ndodhi në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars e mori vesh gjithë bota.
“Dhe ashtu ndodhi. Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe e bëri të pamundur që e vërteta për Kosovën të mbetej e heshtur. Në të njëjtën kohë, ajo zgjoi dhe bashkoi edhe më shumë popullin e Kosovës, i cili u mobilizua me vendosmëri drejt luftës çlirimtare.
Postimi i plotë i Bekim Jasharit:
Bisedën e fundit me familjen në Prekaz e kisha më 3 mars 1998, pak ditë pas masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, një ngjarje që e kishte prekur thellë babushin.
E pyeta si qëndronin me armatim dhe ai m’u përgjigj:
“Sa do të mund të qëndrojmë nuk e di, se ata kanë me na sulmu me krejt çka kanë.
Por një gjë po ta them:
Qysh ka thënë Tahir Meha, kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta…
Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu.”
Dhe ashtu ndodhi. Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe e bëri të pamundur që e vërteta për Kosovën të mbetej e heshtur. Në të njëjtën kohë, ajo zgjoi dhe bashkoi edhe më shumë popullin e Kosovës, i cili u mobilizua me vendosmëri drejt luftës çlirimtare.
Ajo rrugë ishte e dhimbshme dhe plot sakrifica, por ishte rruga e drejtë që në fund u kurorëzua me lirinë dhe çlirimin e vendit tonë.
Ky ishte çmimi i lirisë sonë.
Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.
(r.m.)