Prishtinë, 14 shtator 2026 – Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Sejdiu, në një deklaratë të pubolkuar në Facebook, ka thënë se se vendimin për tërheqjen e kandidaturës e ka marrë duke u marrë parasysh rrethanat e krijuara në skenën politike të Kosovës, mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur në këtë pozitë dhe devijimit të tërë procesit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Sejdiu ka treguar se për vendimin e tij i njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kishin propozuar kandidat për këtë pozitë.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar ai.
Sejdiu e ka vlerësuar mbështetjen e madhe që i është dhënë nga kolegë, miq, personalitetete publike dhe shoqëria civile, sidomos mbështetjen e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
“Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka shpjeguar se propozimin për kandidaturë e ka pranuar me besimin se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës “do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida”.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka thënë Sejdiu, duke shfaqur shpresën se partitë politike do të gjejnë rrugë për dalje nga rrethi vicioz në të cilin gjendet sot.
“Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime.Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, ka theksuar Sejdiu në deklaratën e tij publike.
Bekim Sejdiu ishte propozuar si kandidat konsensual për President të Republikës së Kosovës, pas marrëveshjes së dakorduar mes Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, marrëveshja është vënë në pikëpyetje, për shkak të kundërshtimit nga gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Postimi i plotë i Sejdiut:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq!
Para dy javësh u kontaktova nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga të cilët u ftova në një takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës.
E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesve të këtyre dy partive ua shpreh mirënjohjen time më të thellë, që më kanë nderuar me një besim të tillë dhe për mbështetjen e tyre përgjatë këtij procesi.
Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash. I kam qëndruar gjithmonë idesë se intelektualët dhe profesionistët kanë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe se kapacitetet intelektuale dhe aftësitë e tyre profesionale nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk vihen në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Siç e kam thënë edhe në paraqitjen time publike, nuk kam pasur asnjë ambicie për pozita publike përtej atyre akademike dhe profesionale dhe motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional.
Kam besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida.
Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës.
Kjo ma përforcon besimin e patundur se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si udhërrëfyesit e vetëm në angazhimin tim institucional. Atë përcaktim, sidomos në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk e kam pasur selektiv apo konjuktural, por parimor dhe profesional.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë.
Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre.
Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime.Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht.
Sinqerisht,
Bekim Sejdiu
(r.m.)