Në një mbrëmje të veçantë kulturore të mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, artistja e njohur Vlora Nikçi prezantoi librin e saj më të ri “Bekime dhe Mallkime”. Kjo ngjarje u shndërrua në një festë të trashëgimisë gojore dhe krenarisë kombëtare.
Ambasadori Blerim Reka, nikoqir i këtij organizimi, i uroi autores suksese me urimin plot dashuri e domethënie:
“T’u shtofshin librat!”

Vlora Nikçi, e njohur për karrierën e saj si aktore profesioniste e Kosovës dhe krijuese e përkushtuar në fushën e trashëgimisë kulturore, prej më shumë se 20 vitesh ndan artin dhe jetën e saj mes Kosovës dhe Amerikës. Ajo është një prej ambasadorëve më të mirë të artit dhe kulturës sonë në botë.
Për librin “Bekime dhe Mallkime”, Vlora nisi punën që nga viti 2021–2022, duke udhëtuar dhe mbledhur material gojor në Bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Projekti nisi nën udhëzimin e profesorit të ndjerë, Prof. Dr. Sadri Fetiu, dhe është një dëshmi e gjallë e përkushtimit të saj për ruajtjen e identitetit kulturor.
“Duke qenë se jemi shqiptarë – një popull që padrejtësisht u çlirua vonë – neve na kërkohet të bëjmë më shumë sesa thjesht të ushtrojmë një profesion,” thekson ajo.
“Në rrethana të tilla, profesioni nuk mjafton të jetë vetëm një zanat. Ai bëhet mision. Ai bëhet formë rezistence, kujtese dhe ndërtimi identiteti.”
Të dalësh përtej profesionit, për Vlorën, do të thotë të marrësh mbi supe një barrë që historia ta ka dhënë – jo vetëm për veten tënde, por edhe për ata që nuk patën zërin, hapësirën apo mundësinë të flasin, të krijojnë, të veprojnë.
Në këtë dritë, artisti nuk është vetëm krijues, por edhe mbrojtës i gjuhës, kujtesës dhe shpirtit të një populli. Dhe kur kjo përgjegjësi përqafohet me dashuri, lind ajo që quhet art i vërtetë dhe i domosdoshëm.
“Për librin e parë “Kange popullore erotike” shtysa ishte ndrojtja e kolegeve aktore për skena erotike. Kështu nisa të hulumtoj për ta çmitizuar erotikën nëpërmjet poezive dhe kengeve popullore.” tha ajo.
Vlora shprehu mirënjohje të veçantë për këshilltarët dhe ekspertët që e kanë mbështetur, si Dr. Shaban Sinani, Prof. i cili eshte edhe recenzent i librit. Rexhep Qosja per keshillat e tij te vyera, dhe Prof. Isuf Dedushaj. Ajo solli për ilustrim shprehjen e thellë popullore “qofsh pjella e dreqit”, të mbledhur në Malësi, “atje ku ata që quhen ‘malokë’, janë pasardhësit e atyre që bënë paqe me shkëmbin dhe e kthyen qiellin në çati. Janë jo vetëm rojtarë të kufijve, por të vetë kujtesës sonë.” siç tha ajo me një buzëqeshje të ngrohtë.
Z. Ed Hammel, përfaqësues i Kosova American Education Fund në Nju Jork, vlerësoi thellësisht kontributin e autores, duke theksuar:
“Lidhja me të kaluarën dhe të kuptuarit e vazhdimësisë kulturore e bën Vlorën të aftë ta transmetojë këtë përmes artit të saj skenik.”
Mbrëmja u pasurua edhe me interpretim ne klarinete nga Ylli Zhaveli, me pjesë nga kompozitori Thoma Simaku, ndërsa moderatorja Doruntina Dushi ftoi pjesëmarrësit të bashkëbisedojnë me autoren.
Në këtë event, Vlora nënshkroi libra dhe falënderoi me përzemërsi çdo të pranishëm për interesimin dhe përkrahjen.

Nga libri në ekran – “Ëndrra Amerikane”
Krahas punës me librin, Vlora Nikçi është aktualisht në proces të xhirimit të serialit televiziv “Ëndrra Amerikane”, një projekt që ka bashkuar artistë shqiptarë të njohur ndërkombëtarisht nga të gjitha fushat e artit. Ajo është e bindur se:
“Aktori duhet të jetë autentik në skenë, dhe për të qenë i tillë, duhet të jetë vetvetja. Për ta njohur vetveten, të ndihmon shumë trashëgimia kulturore.”
Për Vlorën, kjo fushë nuk është vetëm një objekt kërkimi, por pjesë përbërëse e identitetit dhe krijimtarisë së saj artistike.
Mes Kosovës dhe Amerikës, me rrënjë dhe krahë
Së bashku me bashkëshortin e saj, aktorin mirenjohur Armend Baloku, dhe djalin e tyre, Ene, Vlora jeton dhe vepron mes Prishtinës dhe Nju Jorkut, duke ndërtuar ura kulturore dhe shpirtërore midis dy vendeve. Ajo është zëri i fuqishëm i një brezi që ruan dhe ringjall trashëgiminë tonë përmes artit.



