Belgjika refuzon të luajë me Izraelin në Bruksel, për arsye sigurie

Bruksel, 16 korrik 2024 – Federata e Futbollit e Belgjikës (RBFA) njoftoi se ekipi kombëtar i këtij shteti nuk do ta zhvillojë ndeshjen e Ligës së Kombeve me ekipin kombëtar të Izraelit më 6 shtator, për shkak të frikës për sigurinë.

Muajin e kaluar autoritetet e qytetit të Brukselit thanë se ndeshja nuk do të zhvillohej në stadiumin “King Baudouin”, për shkak se ajo mund të nxiste demonstrata.

Autoritetet e kishin konsideruar këtë si ndeshje “me rrezikshmëri të lartë”, për shkak të tensioneve të lidhura me luftimet në Rripin e Gazës.

Edhe qytetet tjera belge kanë refuzuar ta organizojnë ndeshjen me Izraelin.

Vendi ku do të zhvillohet kjo ndesje nuk është caktuar ende, por një prej opsioneve përmendet Budapesti.

Shqetësimet për sigurinë në ndeshjen Belgjikë – Izrael u ngritën për shkak të sulmit që ndodhi në tetor të vitit të kaluar në Bruksel, ku një person i armatosur i vrau dy tifozë suedezë, para ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian të futbolli ndërmjet Belgjikës dhe Suedisë, megjithëse motivi i sulmit nuk ishte antisemitik.

Belgjika dhe Izraeli janë në grupin A2 të Ligës së Kombeve, bashkë me Francën dhe Italinë.

(r.m.)