Belinda Balluku paraqitet në SPAK si person në hetim. Dyshohet për shkelje e barazisë në tendera

Tiranë, 31 tetor 2025 – Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është paraqitur të premten pasdite në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin (SPAK).

Pas daljes nga SPAK, në një prononcim të shkurtër për mediat, Balluku tha se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim.

Ajo refuzoi të bënte komente të mëtejshme, por shtoi se shpreson për një hetim transparent nga drejtësia tek e cila beson.

“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë edhe si zyrtare publike, e shikoj si një proces, një proces i cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila besoj”, tha Balluku.

Balluku përfaqësohet me avokat nga motra e saj, Pamela Qirko, e cila u paraqit me herët në SPAK.

Kjo ishte hera e dytë që Belinda Balluku thirret në SPAK. Ajo ishte thirrur për të hënën, por nuk ishte paraqitur me arsyetim se gjendej në një vizitë jashte vendit.

Balkanweb raporton se Balluku është nën hetim për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”. Në kuadër të hetimeve të Ballukut janë kryer një sërë kontrollesh ndaj personave të besuar të saj.

Në lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet Balluku, më herët janë arrestuar disa vartës të saj. Midis tyre është ish-kreu i ARRSH-së Evis Berberi, i cili po gjykohet për disa akuza.

Disa qytetarë e kanë pritur me protestë Belinda Ballukun para ndërtesës së SPAK-ut. Ata kanë thirrur “Hajdute, hajdute…”

(r.m.)