Belinda Ballukut i komunikohen akuza të reja dhe vendimi për zgjatjen e hetimeve

Tiranë, 31 korrik 2026 – Ish-zëvendës-kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, është thirrur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Osganizuar (SPAK), në cilësinë e personit nën hetim për vepra penale që lidhen me korrupsion dhe shpërdorim detyre.

SPAK konfirmoi se Balluku është thirrur për t’u njoftuar me akuza të reja dhe për t’u pyetur lidhur me to.

“Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi; për t’u pyetur lidhur me akuzat, si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”, tha SPAK.

Por, SPAK nuk specifikoi se procedurat e prokurimit për të cilat po hetohet së fundmi Balluku.

Mediet në Tiranë raportojnë se Ballukut iu komunikua vendimi për zgjatjen e hetimeve, si edhe akuzat e reja për tri lote të tjera të Unazës së Madhe të Tiranës, lotet 5, 6 dhe 7.

Balluku është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë dhe ka qenë nën hetim për të njëjtën vepër penale prej dhjetorit të vitit të kaluar, edhe për shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës. Konkretisht për tenderat “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Deri më sot, Balluku ishte marrë e pandehur vetëm për dosjen e Tunelit të Llogarasë dhe për Lotin 4 të Unazës së Madhe.

Sot, para se Balluku të arrinte në SPAK, para godinës së SPAK-ut ishin mbledhur një grup të rinjsh dhe aktivistësh, me flamingo dhe pankarta në duar, të cilët e pritën Ballukun me protesta. Dhjetra punonjës të Policisë së Shtetit ndërhynë për t’i larguar protestuesit nga trotuari pranë oborrit të godinës së SPAK-ut. Protesdtuesit u zhvendosën rreth 100 metra më tutje, ku qëndruan për disa orë të rrethuar nga efektivët e policisë.

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, deklaroi të enjten se çështja e Belinda Ballukut është me prioritet dhe se hetimet ndaj saj vijojnë.

Balluku vijon të hetohet për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”.

SPAK thotë se tenderat iu dhanë një kompanie ndërtimi në shkelje të ligjeve dhe se Balluku e mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila i është sekuestruar me vendim të GJKKO.

SPAK i kishte kërkuar Kuvendit që Ballukut t’i hiqet imuniteti i deputetes, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, por mazhornaca socialiste në kuvend nuk e ka miratuar këtë kërkesë. Sipas socialistëve, SPAK nuk ka të drejtë të arrestojë personat nën hetim derisa prokuroria nuk ngre aktakuzë ndaj tyre.

Opozita në Kuvend e akuzon kryeministrin Edi Rama se po e merr në mbrojtje Ballukun, sepse druan se ma arrestimin e saj do të dalin në pah skandalet dhe aferat e tij korruptive.

Pjesëmarrësit në protestën antiqeveritare gati dymujore kërkojnë me ngulm që para gjyqit të nxirret edhe kryeministri Rama.

(r.m.)

Comment

*