Beogradi reagon ashpër ndaj mbylljes së filialeve të Bankës së Serbisë në veri të Kosovës

Beograd, 20 maj 2024 – Autoritetet në Serbi reaguan ashpër ndaj mbylljes së filialeve të Bankës së Postës së Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që kërcënon drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

“Kujt dhe pse po u pengon Banka Kursimore e Postës? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, citohet Vuçeviq në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i tij.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, sipër, siç u shpreh, “vazhdim të terrorit ndaj popullit serb” në Kosovë. Madje, ai bëri edhe një kërcënim.

“Kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”, tha Daçiq.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi “shqetësues” faktin se në aksionin e Policisë së Kosovës morën pjesë edhe pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it.

“Është shqetësues fakti që pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it ishin vëzhgues të heshtur të aksionit të sotëm të paligjshëm dhe të dhunshëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të ndalojnë Kurtin dhe të mbrojnë paqen dhe popullin serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

(r.m.)