Beograd, 28 maj 2026 – Beogradi zyrtar reagoi me ashpërsi pasi institucionet e Kosovës morën nën kontroll infrastrukturës hekurudhore në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Të enjten në mëngjes autoritetet e hekururave të Kosovës, me asistencën e Policisë së Kosovës, morën nën kontroll objektet e stacioneve hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq. Nga të dy stacionet janë hequr tabelat e emërtimeve në alfabetin cirilik me flasmur të Serbisë dhe në vend të tyre janë vendosur tabelat e emërtimeve në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe me alfabetin latin, me flasmurin e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, I cili gjendet në vizitë në Kinë, e ka cilësuar këtë veprim të institucioneve të Kosovës si “provokim të tensioneve” në veri dhe si akt të “përndjekjes” së serbëve nga Kosova.
Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve që të mos e braktisin Kosovën, duke shtuar se Serbia do t’u ndihmojë “aq sa mundet në kushte të tilla”.
“Do të shohim t’u ndihmojmë aq sa mund t’u ndihmojmë në kushte të tilla, gjë që nuk është shumë, por braktisja e vatrave nuk është zgjidhje”, ka thënë ai.
Vuçiq e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar se po i toleron veprimet e qeverisë së Kosovës.
Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka sulmuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij aksioni për marrjen e kontrollit të infrastrukturës hekurudhore në veri të Kosovës, të cilën ai e quan pjesë të Hekurudhave të Serbisë, është pjesë e fushatës zgjedhore të Kurtit.
“Duket se rejtingu dhe fushata e Albin Kurtit në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit është në rënie të lirë, derisa ai vendosi t’i sulmojë institucionet serbe dhe objektet e Hekurudhave të Serbisë në komunat serbe në veri të Kosovës e Metohisë në ditën e parë të fushatës zgjedhore”, ka thënë ai.
Petkoviq e ka shfrytëzuar edhe këtë rast për t’u bërë thirrje serbëve në Kosovë që “të rreshtohen nën një bajrak” dhe në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë për Listën Serbe, partinë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar.
Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë e cilësoi marrjen nën kontroll të infrastrukturës hekurudhore në veri nga institucionet e Kosovës si “lëvizje unilaterale dhe të paligjshme të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”. Kjo ministri premtoi punëtorëve të hekurudhave të Kosovës në veri ndihmë nga Qeveria dhe nga Hekurudha e Serbisë.
“… Hejkururadhe e Serbisë dhe shteti i Serbisë do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që ekzistenca e tyre dhe ekzistenca e familjeve të tyre të mos kërcënohet”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
(r.m.)