Beograd, 14 qershor 2025 – Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar në pikat kufitare, të gjithë pjesëtarë t՞ komunitetit serb.
Në njoftimin e Zyrës për Kosovën përmenden vetëm inicialet e të ndaluarve nga MUP-i serb: N.V., (26 vjeç), M.M., (28), dhe A.M., (36), si dhe M.S., (53), i cili është polic në pension.
Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”.
“Të gjithë ata, së bashku me familjet, jetojnë prej vitesh në mënyrë paqësore në Kosovë e Metohi dhe detyrat i kryejnë në drejtoritë policore në territorin e Serbisë qendrore. Aktualisht ndodhen në paraburgim”, thuhej në deklaratë.
Në njoftim thuhet se lidhur me këtë rast do të njoftohen të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë si edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Njërit prej tyre, Nikolla Vujoviq, të shtunën iu hoq shtetësia e Kosovës dhe u dëbua nga Kosova. Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se ai e ka marrë këtë vendim për shkak se ai “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.
Një javë më parë, ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u arrestua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, Horgosh, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij. Spahiut iu caktua një muaj paraburgim nga Gjykata komunale në Suboticë.
Avokati Arianit Koci bëri të ditur se Spahiu dyshohet për veprën penale “vrasje të rëndë”, të kryer në Banjskë të Zveçanit. Më 24 shtator të vitit 2013 gjatë sulmit me armë të një grupi të serbëve të armatosur dhe kundërpërgjigjes së Policisë së Kosovës ishin vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre pjesëtarë të grupit të serbëve të armatosur.
Avokati Koci tha se Arbnor Spahiu ishte larguar nga shërbimi në Policinë e Kosovës para ngjarjes për të cilën akuzoi ai nga autoritetet e Serbisë.
(r.m.)