Berisha ankimon vendimin e GKKO, avokatët kërkojnë heqjen e arrestit shtëpiak

Tiranë, 3 janar 2024 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka ankimuar masën e sigurisë “arrest shtëpie me mbikëqyrje policore” të vendosur para 4 ditësh nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Avokatët e z. Berisha kanë kërkuar heqjen e kësaj mase, ndonëse gjykata nuk e ka lëshuar ende vendimin me arsyetim.

GJKKO e miratoi kërkesën e SPAK-ut që masa e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-kryeministrit Berisha të zëvendësohet me masën e sigurisë “arrest shtëpie me mbikëqyrje policore”.

Trupi gjykues i GJKKO, i kryesuar nga Irena Gjoka e ka urdhëruar ish-kryeministrin Berisha të mos largohet nga banesa ku do të jetë me mbikëqyrje periodike policore dhe të mos kontaktojë me persona të tjerë përveç anëtarëve të familjes që gjenden në të njëjtën banesë. Po ashtu ia ka ndaluar kominikimin me persona të tjerë.

Z. Berisha po hetohet nga SPAK për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Hetimi ka të bëjë me privatizimin e ish-kompleksit sportive “Partizani” në Tiranë.

Për të njëjtën çështje po hetohet edhe dhëndrri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

Berisha i ka hedhur poshtë pretendimet e SPAK-ut. Ai ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

Berisha akuzoi prokurorinë dhe gjykatën se janë vënë në shërbim të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas tij, ka objektiv shuarjen e opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri. 

(r.m.)