Berisha: Basha e Alibeaj bëjnë gjithçka për krijimin e një partie të re

Tiranë, 18 prill 2022 – Ish-kryeministri Sali Berisha i cilëson qëndrimet e Enkelejd Alibeajt për mohimin e Kuvendit të 11 dhjetorit të PD-së, si një tentativë për të krijuar një parti të re.

Në një intervistë në “Syri Tv”, Berisha u shpreh se Alibeaj, së bashku me Lulzim Bashën dhe me ndihmën e Edi Ramës, po bëjnë gjithçka për të hedhur poshtë Kuvendin e 11 dhjetorit.

Duke iu referuar zgjedhjeve në degët e PD-së, Berisha tha se asnjë autoritet nuk ka tagër anulimin e një procesi statutor, por vetëm shtyrjen e saj.

“Basha dhe Alibeaj, janë angazhuar në një proces të turpshëm manipulimi të grupit parlamentar. Është 100% e sigurt. Duke u angazhuar në këtë proces, ata i lejuan vetes, të vazhdojnë qëndrimin e mosnjohjes së Kuvendit të 11 dhjetorit. Së pari, Basha dhe Alibeaj bëjnë gjithçka edhe tani që nëpërmjet Ramës, të hedhin poshtë Kuvendin e 11 dhjetorit, votimin e 6 marsit. Bëjnë gjithçka për të krijuar partinë e tyre. Vijmë tek deputetët. E vërteta, shumica dërrmuese e deputetëve nuk kanë paraqitur një kërkesë të tillë. Kanë paraqitur disa prej tyre. Cila ka qenë alternative jonë.

Ne përsërisim çdo proces. Ky process që të tjerët nuk e kanë ndjekur, kanë 4 muaj që po zhvillohet. Pra, asnjë tagër, asnjë kompetencë, asnjë autoritet nuk mund të anulojë një proces statutor. Nuk e bën dot kurrë. Alternativa jonë ishte, urdhëro të bëjmë auditin, të verifikojmë kudo që thoni se janë shkelur. Të anulojë çdo proces që nuk është zhvilluar në përputhje me statutin. Unë besoj se në ndërgjegjen time më të thellë, nuk ka njeri më të interesuar se unë dhe Komisioni, për një harmoni mes deputetëve. Nuk mundet të anulosh një proces që është bërë në përputhje me statutin. Cilido që pranon oditin, ka deputetë që kërkuan shtyrjen me një javë.

Do të ishte pasnesër konferenca. Shtyrja një javë, nuk përbën një antistatut. Anulimi përbënte antistatut. Deputetët kërkuan anulim. Kjo nuk mund të bëhej. Deputetët janë institucion themeloir i një partie, por në të gjithë partitë politike të kontinentit, përveç Britanisë së Madhe, ata nuk janë shtabi ekzekutiv i partisë, janë krahu legjislativ. Kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk marrin funksione ekzekutive. Ajo parti që i ka autorizuar, i ka përcaktuar në statutin e tyre, janë anëtar të Kryesisë së PD-së në degën ku kanë kandiduar, janë anëtar të Kuvendit Kombëtar”, tha Berisha.

(Panorama.al)