Tiranë, 10 qershor 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka deklaruar se PD-ja e mbështet protestën e qytetarëve dhe kërkesën e legjitime të protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e Ligjit për Investime Strategjike dhe ligjeve tjera .
“Dhjetëra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit, me kërkesa të drejtë për dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë në shkelje flagrante dhe kundër direktivave të BE-së”, ka thënë Berisha të mërkurën, në takimin e grupit parlamentar të PD-së.
Berisha ka treguar për diskutimin e tij në takimin e drejtuesve të Partive Popullore Evropiane në Sarajevë dhe për kërkesat që ka shtruar ai.
“Denoncova qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestuesve dhe kërcënimet talljet, fyerjet, etiketimet që ai u bën protestës rinore më të rëndësishme që ka njohur vendi. Kërkova nga drejtuesit e PPE-së të ushtrojnë autoritetin e tyre që kriza e thellë që ka përpirë vendin të zgjidhet në mënyrë paqësore, përgatitjen e qeverisë teknike për zgjedhjet e reja. Ky është rekomandimi im dhe pati shumë interes për situatën në Shqipëri. Kërkova mbështetje ndërkombëtare për këto protesta”, ka thënë Berisha.
“Qytetarët shqiptarë duhet të ndihmohen. Nuk mund të përdoret dhuna, përveç plotësimit të kërkesave politike. Informova se kjo protestë nuk është thirrur nga PD-ja por mbështet fuqishëm nga PD-ja”, ka theksuar ai.
Berisha ka treguar arsyet e mbështetjes së protestës.
“Pse ne i mbështesim plotësisht kërkesat e parashtruara nga qytetarët me një deklaratë të tyre serioze? Ne e mbështesim largimin e Edi Ramës si një armik, i egër i kombit shqiptar, i demokracisë, i integrimit dhe të ardhmes së Shqipërisë”, është shprehur ai, duke e cilësuar Ramën si “narko diktator që përdori shtypjen e pluralizmit politik, arrestimin e liderëve të opozitës në vit elektoral”.
“Për ne, demokratët dhe demokratet, pas Enver Hoxhës ai është armiku më i egër që shqiptarët kanë patur në histori. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë nga pushteti. Nuk ka legjitimitet dhe ne jemi të parët, jemi krenarë se kemi arritur të rrëzojmë falsifikimin e tij për legjitimitet zgjedhor”, ka theksuar Berisha.
Kreu i PD-së e ka akuzuar Ramën edhe për “mbrojtjen” e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet për korrupsion të përmasave të mëdha.
(r.m.)