Tiranë, 29 korrik 2022 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se ish-Presidenti i shtetit, Ilir Meta, e ka dpsjen e pastër.
Në konferencën e sotme për shtyp, Berisha ka thënë se dosja e Sigurimit që iu atribuua Metës nuk ka të bëjë me ish-presidentin, por me një person tjetër. Ai ka thënë se inicialet I.M. janë të Ilir Muratit nga Librazhdi.
Berisha ka thënë se çështja e dosjes që iu atribuua Metës është trillim i paskrupullt i Kryeministrit Edi Rama dhe SHISH-it, me prapavijë ekskluzivisht politike.
Ai ka thënë se kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, dhe kryetarja e kuvendit të Shqipërisë kanë rënë në “kurthin” e Ramës.
Deklarata e plotë e Berishës lidhur me çështjen e dosjes:
Pas verifikimit të dokumenteve unë deklarova dy ditë më parë që gjithçka është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik, pa asnjë moral, që përdor shpifjen dhe trillimin kundër kundërshtarëve politikë. Dje pasdite dhe sot unë kam dokumentet në dorë. Nuk ka akt më të shëmtuar, Edi Rama bashkë me Shërbimin Informativ e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth. E ka stisur në mënyrën më të trashë.
Cilido që lexon e-mail-in e ka të qartë se I. M. është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe s’ka asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën.
Këtë e kanë ditur këta. Edi Rama ka keqpërdorur, ka keqshfrytëzuar në mënyrë më të shpifur qoftë kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, qoftë Lindita Nikollën. Unë mund t’ju them ju, në dokumentin që Genta Sula i drejton Linda Nikollës, akuzon direkt Ilir Metën për bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Një akt i pashembullt. Kjo zonjë është keqshfrytëzuar në mënyrë ekstreme nga Edi Rama për arsye që ajo i di vetë dhe do të zbardhen. Mbi bazën e këtij dokumenti të hartuar në SHIK, për herë të parë në jetën e saj politike Linda del dhe u thotë shqiptarëve se jam e tronditur nga dokumenti që ka dalë. Histori të turpshme, zyrtarë primitivë që s’kanë asgjë të përbashkët me integritetin e një zyrtari. Ky është kurthi që organizon Edi Rama në mënyrë që të përdor SHISH-in për fabrikim dokumentesh.
Cila është situata ligjore sot në Shqipëri?
Në vitin 1995 këtu është miratuar ligji i lustracionit, i hartuar nga presidenti Havel. Sali Berisha e ka marrë atë ligj e ka përkthyer fjalë për fjalë dhe e ka çuar në parlamentin shqiptar. Ai ligj kishte lustracionin. U zbatua. Ilir Meta mori certifikatën, të cilën po të mos e meritonte nuk do ta merrte kurrë. Socialistët erdhën në pushtet, ligjin e mbajtën, hoqën lustracionin dhe parlamenti ka pasur me dhjetëra bashkëpunëtorë të sigurimit të sshtetit dhe është drejtuar nga bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Erdhëm në pushtet, në vitin 2008 dorëzova përsëri të njëjtin ligj në parlament, e votuam, përsëri lustracionin. Ligjin e rrëzoi tërësisht Gjykata Kushtetuese, për mendimin tim në mënyrë të padrejtë,. Në vitin 2012 PD përsëri dërgoi amendamentet e lustracionit, Edi Rama dhe PS i kundërshtoi në mënyrë kategorike. Tani nqs po të mos ishte Edi Rama ai që urdhëronte Genta Sulën dhe Lindën e Parlamentit kishte një shteg ligjor të plotë. Nqs ligji i lustracionit nuk ekziston, ekziston ligji i dënimit të krimeve të komunizmit. Sipas këtij ligji, çdo qytetar ka të drejtë të çojë në gjykatë, ekzekutorin, persekutorin e tij dhe ky ligj është në fuqi. Këto dy zonja po të mos merrnin përsipër të bënin rolin e të keqpërdorurave in exstremis nga Rama kishin tagër t’i thoshin qytetarit shko në gjykatë, denonco Ilir Metën. Po kjo nuk i interesonte sepse Filip Talen nuk e kishte persekutuar Ilir Meta.
Unë jam për ligjin e lustracionit, por ka një vendim Gjykate kushtetuese që e ka rrëzuar. Ne e bëmë provën në 2015 dhe e refuzuan. Gjithçka është një përpjekje për të keqpërdorur Shërbimin Informativ kundër kundërshtarëve politikë. Linda dhe Genta janë thjesht fatkeqet e Ramës që kanë lejuar të përdoren nga Rama.
(r.m.)