Tiranë, 14 maj 2025 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuzat ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit si një “grabitje” dhe jo si një fitore.
Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se nuk ka shqiptar që nuk pa me sytë e tij “shpërdorimin e pushtetit dhe blerjen masive të votave” nga mazhoranca.
“Kjo nuk është fitore, por grabitje e zgjedhjeve. Nuk ka shqiptar që nuk e ka parë me sy. Plaçka e vjedhur do të kthehet. Ky është rregull. Cilido që e pa me sy vjedhjen e zgjedhjeve dhe shprehet për fitore të Edi Ramës e përdor fjalorin e tij”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se opozita ka fakte të bollshme për “grabitjen” e zgjedhjeve të cilat do t’i dërgojë në institucionet e Europës, si dhe në Senatin dhe në Kongresin e SHBA-së.
“Ne kemi bërë dhe tani e kemi më të mundur se kemi shumë më tepër fakte. Në Kongres, Senat, në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës, në Asamblenë e Partive Popullore Evropiane, në ODIHR, pranë qeverive të vendeve të lira. E drejta e këtij populli do të mbrohet për votën e lirë”, theksoi ai.
“Cili është ai që nuk pa shpërndarjen e 100 eurove për çdo pensionist, kur ata përbëjnë 48 për qind të elektoratit? Kush nuk pa faljen e gjobave dy ditë para zgjedhjeve? Kush nuk e pa mbjelljen e kanabisit?” shtoi Berisha, duke theksuar se këto janë prova të qarta të manipulimit të vullnetit të votuesve.
Të martë, Berisha paralajmëroi se opozita do të fillojë protestat kundër “grabitjes” së zgjedhjeve nga kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se këto protesta do të jenë paqësore.
(r.m.)