Berisha: Privatizimi i kompleksit “Partizani” ka nisur nga Qeveria “Nano”, kurse destinacioni është ndryshuar nga Edi Rama

Tiranë, 21 tetor 2023 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi se privatizimi i klubit “Partizani” në Tiranë ka nisur nga qeveria e Fatos Nanos, ndërsa destinacioni i hapësirës së klubit nga terren sportiv në truall për ndërtim është ndryshuar me firmën e kryeministrit aktual, Edi Rama.

Berisha tha se kthimi i tokave ku gjenden klubi “Partizani” te pronarët e ligjshëm të tyre është bërë nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe nga gjykatat kompetente prej vitit 1994 deri në vitin 2006.

Pjesë nga deklarata e Berishës, cituar nga Panorama:

“Jamarbër Malltezi nuk është thirrur në jetën e tij nga asnjë prokuror apo nga asnjë gjykatës për asnjë çështje. Prej tri vitesh, me padi të rreme të ngritura nga Taulant Balla, SKAP-i i partisë ka hetuar privatizimin e klubit ‘Partizani’. Pikërisht se nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje të vetme, nuk kanë guxuar ta thërrasin kurrë në prokurori (Malltezin), por kanë preferuar të shpërndajnë lajme të rreme me gazetarë të keqpërdorur të oborrit qeveritar për gjoja abuzime.

Klubi ‘Partizani’ nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes i Forcave të Armatosura me propozimin e Sali Berishës dhe as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë, para Bamir Topit. Destinacioni i klubit ‘Partizani’, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës. Është ndryshuar, pra, destinacioni i karakterit sportiv nga vetë Edi Rama. Me dokumenta.

Njohja dhe kthimi te pronarët e ligjshëm i pronave të klubit Partizani (janë gjashtë familje dhe 64 anëtarë), është bërë nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe nga gjykatat, nga vitit 1994 deri në vitin 2006.

Privatizimi i klubit ‘Partizani’ është nisur nga qeveria e Fatos Nanos.

Muaj më parë, prokurorja e SKAP-it, simotra biologjike e Taulant ‘Bego’ ‘Jaris’, ka sekuestruar kompjuterat e kompanisë që mbante kontabilitetin e Jamarbër Malltezit dhe ka shkuar në gjykatë duke e mashtruar gjykatën. Ajo (prokurorja) ka deklaruar se kthimi i pronave ka filluar në vitin 2006, në një kohë kur ky është një proces i njohjes, madje i kthimit, nga viti 1994 deri 1995. Ajo është përpjekur të krijojë konfuzion dhe gënjeshtra me nënkuptim për sipërfaqen e privatizimit. Shtoj këtu se çdo centimetër dhe metër katror e sipërfaqes së privatizuar është e firmosur nga 7 firma të bashkisë së Edi Ramës.

Ajo në gjykatë ka spekuluar në mënyrë të paturpshme me çështjen e ortakërisë së Jamarbër Malltezit me bashkë-investitorë, ortakëri e cila në asnjë rast nuk përbën vepër penale dhe nuk ka asnjë lidhje me SPAK-un e partisë. Për njëfarë periudhe, bashkëinvestitorët i kanë rregulluar marrëdhëniet e tyre me kontratë të noterizuar, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Çdo transaksion është bërë vetëm në rrugë bankare, duke depozituar pranë institucioneve kontratën e noterizuar.

Ndryshe nga sa gënjen përfaqësuesja e Taulant Ballës, çdo transaksion është deklaruar pranë tatimeve, bankës dhe institucionit të larjes së parave.

Me fillimin e tërheqjes së dividentit, në përputhje me kontratën, Jamarbër Malltezi, nga kontrata kanë kaluar në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, ndërsa marrëdhënia me kontratë është përgjegjësi e pakufizuar, e plotë dhe totale. Kurse në shoqëri, përgjegjësia është e kufizuar. Në Shoqërinë me Përgjegjësi të Kufizuar kanë kaluar sipas kuotave të përcaktuara në kontratë. Pra, për të justifikuar sekuestron e kompjuterëve të kompanisë, prokurorja Mellonai, ka gënjyer në mënyrë të paskrupullt”.

(r.m.)