Berisha thotë se nuk do ta njohë vendimin e gjykatës, e akuzon komisionin e mandateve

Tiranë, 19 dhjetor 2023 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është pyetur të martën nga gazetarët se a do t’i bindet vendimit të SPAK për ndryshimin e masës së sigorisë nga paraqitje në polici në arrest shtëpie ose në arrest me burg.

Berisha ka thënë se nuk do ta njohë vendimin e SPAK-ut.

“Unë e kam bërë të qartë dhe përsëris se nuk e njoh vendimin, sepse ky vendim është një akt i turpshëm, një akt i neveritshëm i komisionit Basha-Brava”, ka thënë ai.

Berisha ka kujtuar se Kuvendi kishte vendosur ndryshe me ish-ministrin Saimir Tahiri, ndërsa për rastin e tij e ka akuzuar gjyqtaren Irena Gjoka.

“Unë këtu kam vendimin e gjykatës për Saimir Tahirin, i cili thotë se nuk mund t’i heqim pasaportën Tahirit, pa marrë lejen e parlamentit. Por, ajo gjykatëse nuk ishte një vegël e verbër dhe nuk fshihej pas krimit të vet sikurse Irena Gjoka, e shkarkuar nga Sali Berisha, sepse shkarkimi është akti. Shteti nuk është hakmarrës. Por, shkarkimi është i mjaftueshëm që ajo të shkruajë se jam shkarkuar prej tij dhe nuk mund ta trajtojë çështjen. Ky është ligji. Kjo e thellon konfliktin e interesit. Ajo kishte vetëm një rrugë, të thoshte që nuk e merr dosjen”, është shprehur ai.

“Por, ajo e kishte marrë përsipër dosjen e Edi Ramës, për arsye që do zbërthehen të gjitha, ndërkohë që një gjykatëse tjetër, një njeri po i Kushtetutës dhe ligjit, u thotë prokurorëve që pasaportën nuk mund t’ia marrim pa lejen e parlamentit”, ka shtuar Berisha.

Ish-kryeministri Berisha ka pranuar se Partia Demokratike po vihet në situatë të vështirë për arsye politike.

“Partia Demokratike dhe opozita, për motive kryekëput politike, po vendosen në një situatë në të cilën ndodhen partitë opozitare në Mianmar, në Rusi dhe në Teheran. Por, siç rezistojnë opozitarët në Rusi, në Mianmar e në Iran, do rezistojë edhe PD-ja në Shqipëri dhe ajo e tëra do të angazhohet në betejën pa kthim për përmbysjen e narko-diktaturës.”, ka thënë Berisha.

Por, ai ka theksuar se kjo vetëmsa e forcon “luftën e opozitës”.

“Sigurisht që krijon disa vështirësi të përkohshme, por vala e fuqishme e revoltës, e mosbindjes civile të popullit opozitar do i japë atij atë vend që meritojnë të gjithë narkodiktatorët në histori. Ndaj kjo jo vetëm që nuk e dobëson, por e forcon më shumë luftën e opozitës”, është shprehur Berisha.

(r.m.)