Beteja për 23 Qershorin, Berisha kërkon ndihmën e Bashës

Por, opozita e akuzon Bashën se po e përfshin bashkinë në luftë politike në kurriz të qytetarëve duke përdorur punët publike për qëllime fushate

 

Rezultati elektoral i 8 Majit të vitit 2011 dhe rivaliteti i ngushtë mes kampeve politike e ka bindur Partinë Demokratike që ta angazhojë kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha dukshëm në fushatën e zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Prej disa ditësh, Basha është pjesë e mitingjeve duke shoqëruar kryeministrin në të gjitha takimet elektorale të mbajtura në Qarkun e Tiranës dhe kryeson shtabin elektoral. Paralelisht, ai ka kontribuar në retorikën publike të mazhorancës së djathtë duke sulmuar ish kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama për mënyrën se si e ka qeverisur metropolin shqiptar.
Por, opozita e akuzon Bashën se po e përfshin bashkinë në luftë politike në kurriz të qytetarëve duke përdorur punët publike për qëllime fushate.
“Dy vjet dhe asgjë. Vetëm në kutinë e televizorit anonçime dhe përralla. Tani inaugurime dhe kudo janë vendosur tabela rrugësh dhe vetëm rrugë nuk bëhen. Ajo nuk janë as rrugë por rrugica. Nuk e di ku janë projektet e Tiranës dhe ku është çmimi i bukës, premtoi se do e ulte çmimin po ku është?”, shprehet kreu i opozitës Edi Rama duke ju referuar pasuesit të tij në Bashkinë e Tiranës.
Duke shënuar një precedent të ri në fushatat zgjedhore të deri më tanishme, ku palët qëndrojnë të ndara në ekstreme, Basha pak ditë më parë preferoi që gjatë inspektimeve në rrugën “Ibrahim Braja” në kryeqytet, të ndalojë e të futet brenda një prej zyrave elektorale të Partisë Socialiste.
Një bisedë e shkurtër me kandidaten e Partisë Socialiste Lindita Nikolla gjeti menjëherë pasqyrim në media pavarësisht se dy personazhet këmbëngulën me batuta në suksesin reciprok në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Të njëjtin veprim por në krahun e kundërt do ta bënte dy ditë më vonë, kandidati për deputet i Partisë Socialiste Ditmir Bushati i cili u ndalua në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike dhe shkëmbeu biseda me aktivistët e së djathtës.
Por, përtej asaj çka mund të cilësohet “efekt relaksues” i fushatës, Basha ka preferuar edhe të akuzojë kreun e opozitës në terma edhe më të ashpër se vet kryeministri Sali Berisha. Në mitingun e hapjes së fushatës zgjedhore në Qarkun e Tiranës, Basha këmbënguli se Rama ka bllokuar integrimin dhe si i tillë mund të cilësohet tanimë si një armik i shqiptarëve.
“U thashë në fillim se Edi Rama nuk është armik, se në bindjen time nuk duhet të kemi armiq. Por, çfarë mund të them sot për Edi Ramën. Do të kishim vendin kandidat por Rama tha jo. Por çfarë është dikush që i mohon vendit të tij integrimin, të ardhmen, mundësitë e arta. Ky njeri nuk është dhe nuk mund të jetë miku i shqiptarëve, nuk është miku i Shqipërisë”, nënvizoi Basha.
Parë më në detaje, angazhimi i Lulzim Bashës në fushatën e zgjedhjeve të 23 Qershorit duket se ka qenë i detyruar. Çdo personazh i cili do të merrte përsipër të drejtonte fushatën në kryeqytet për demokratët do të faturonte suksesin apo humbjen tek puna e kryebashkiakut Basha në këto dy vite të para qeverisje vendore. Rrjedhimisht, Basha ka preferuar të marrë rriskun personalisht duke u angazhuar dhe tentuar të ruajë avantazhin e realizuar në 8 Maj përballë të majtës.
Në këtë formë, Bashës i është dashur edhe të “harrojë” atë premtim të dhënë në ceremoninë e betimit të tij si kryebashkiak 25 korrikun e vitit 2011 kur pohoi se “jemi të gjithë qytetarë të Tirnaës. Një pjesë e juaja votoi për mua, një pjesë tjetër votoi për kundërshtarin tim dhe një pjesë tjetër preferoi të mos votonte. Si kryebashkiak, unë do të përfaqësoj secilin prej jush dhe do të punoj me përkushtim”.
Një rezultat i mirë i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, edhe në rastin hipotetik kur e djathta do të humbte zgjedhjet, do t’i krijonte mundësinë Bashës të kishte pozita të forta brenda kampit blu duke ju afruar gjithnjë e më tepër profilit të një kryetari në hije i cili mund të zëvendësojë në perspetivë kryetarin aktual Sali Berisha.