Uashington, 20 2023 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka njoftuar të martën Kongresin për vazhdimin e emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se në këtë rajon ka ende potencial që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet obstruktive, si edhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe drejt integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, urgjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 13304, dhe që u zgjerua në urdhrin Ekzekutiv 14033, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi pas datës 26 qershor 2023. Prandaj, në përputhje me nenin 202(d) të Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)), e vazhdoj për 1 vit urgjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Më 26 qershor 2001, me Urdhrin Ekzekutiv 13219, Presidenti kishte shpallur emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente (50 U.S.C. 1701 e më tej) për t’u përballur me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë nacionale dhe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara që paraqesin veprimet e personave të përfshirë direkt apo indirekt në aktet ekstremiste në Maqedoninë e Veriut, që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje dhe në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Presidenti më pas e kishte ndryshuar këtë urdhër, duke ia shtuar edhe veprimet që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut.
Më 8 qershor 2021, Presidenti Biden e kishte nënshkruar Urdhrin Ekzekutiv 14033, i cili zgjeronte fushën e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 me ndryshime e plotësime, duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkanin Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe përhapjen e korrupsionit të qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengojnë përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe drejt integrimit të plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbëjnë kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
(r.m.)