Uashington, 16 gusht 2021 – Presidenti Joe Biden do t’i drejtohet pas pak vendit nga Shtëpia e Bardhë lidhur me përpjekjet për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani. Tërheqja e planifikuar e forcave amerikane u shoqërua me disa viktima në aeroportin e Kabulit të hënën, ndërsa mijëra njerëz u përpoqën të largohen nga Afganistani një ditë pas marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët.
Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden do të kthehet në Uashington nga vendpushimi presidencial “Camp David” për t’iu drejtuar vendit. Ky do të jetë fjalimi i parë publik mbi situatën në Afganistan në afro një javë.
Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thonë se kaosi në aeroport la të vdekur shtatë persona të hënën, përfshirë disa që ranë nga një avion ushtarak amerikan transporti që po largohej. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht mbi operacionet në vazhdim.
Afganët vërshuan në pistën e aeroportit të Kabulit ndërsa mijëra u përpoqën të largohen pasi talebanët morën pushtetin. Pamjet filmike tregojnë disa njerëz që u kapën në anën e një aeroplani ushtarak amerikan para ngritjes, në shenjë dëshpërimi, ndërsa lufta 20-vjeçare po përfundon në një mënyrë kaotike.
Një video tjetër tregoi disa afganët që bien ndërsa avioni fluturon mbi qiellin e Kabulit. Trupat amerikane u detyruan të hapnin zjarr pajarmërues dhe përdorën helikopterë për të hapur rrugën për avionët e transportit.
Pentagoni konfirmoi të hënën se forcat amerikane qëlluan dhe vranë dy persona, për të cilët thuhej se ishin të armatosur, ndërsa presidenti Biden urdhëroi rreth 1000 trupa të tjera që të siguronin aeroportin që u mbyll për disa orë të hënën për shkak të civilëve në pistë.
Italia, Arabia Saudite, Franca, Zelanda e Re, Suedia, Australia dhe Republika Çeke janë ndër vendet që kanë përmbyllur evakuimin ose kanë plane specifike për nxjerrjen e personelit të tyre së shpejti jashtë Afganistanit.
Autoriteti Civil i Aviacionit në Afganistan njoftoi se terminali civil i aeroportit ishte “mbyllur deri në njoftimin e ardhshëm”, ndërkohë që në median sociale u postuan video që tregonin turma në pistat e aeropotit dhe njerëz që shtyheshin për të hipur në shkallët e një avioni.
Disa kompani fluturimesh si United, British Airways, Virgin Atlantic dhe Lufthansa thanë se nuk do të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të Afganistanit, ndërsa shoqëritë ajrore Emirate dhe Pakistan International Airlines njoftuan se kanë pezulluar fluturimet për në Kabul.
Luftëtarët talibanë u panë të hënën duke patrulluar rrugët e Kabulit pas ofensivës së rrufeshme që u siguroi kontrollin e kryeqyteteve të njëpasnjëshme krahinore brenda pak më shumë se një jave dhe më pas marrjen e kryeqytetit të vendit të dielën.
Mullah Abdul Ghani Baradar, bashkëthemelues dhe zëvendës kryetar i talibanëve përgëzoi popullin afgan dhe “Muxhahidinët” për fitoret kolosale përmes një deklarate të dielën në mbrëmje. Ai e përcolli mesazhin nga zyra e tij në Doha të Katarit.
“Jam këtu për të njoftuar se ne jemi përgjegjës për jetët tuaja dhe për çdo gjë që lidhet me jetën e përditshme. Dua t’ju bind se do të ofrojmë çdo gjë që nevojitet për t’jua bërë jetën më të mirë me aq sa na ka dhënë i Madhi Zot, i cili na ofroi këtë fitore të madhe,” tha zoti Baradar.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje talibanëve të “tregohen të matur në maksimum në mënyrë që të mbrohen jetë njerëzish” përmes një deklarate të sekretarit të përgjithshëm të publikuar të dielën në mbrëmje. Të gjitha organizatat humanitare duhet të lejohen të ofrojnë ndihmë pa u penguar, thuhet në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 60 vendet të tjera nxorën një deklaratë në orët e vona të së dielës ku u bëjnë thirrje të gjitha palëve në Afganistan “të respektojnë dhe ndihmojnë” largimin e rregullt të afganëve dhe shtetasve të huaj që duan të ikin nga Afganistani.
“Ata që janë në pozita pushteti e autoriteti në mbarë Afganistanin mbajnë përgjegjësinë dhe duhet të përgjigjen për mbrojtjen e jetëve dhe të pronave si dhe për rikthimin e menjëhershëm të sigurisë dhe rendit civil,” thuhet në deklaratë. “Afganët dhe shtetasit e huaj që duan të largohen duhet të lejohen të largohen. Rrugët, aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar duhet të mbeten të hapur dhe të ruhet qetësia”.
Presidenti afgan Ashraf Ghani, si dhe nënpresidenti dhe disa zyrtarë të lartë u larguan me avion nga Afganistani të dielën.
Zoti Ghani postoi të dielën në mbrëmje një deklaratë në Facebook, duke thënë se u largua nga vendi për të shmangur gjakderdhjen. Ai mbërriti në Taxhikistan dhe u largua pas pak për një destinacion të paditur, njofton Radio Evropa e Lirë/Radio Liria.
“Talibanët kanë fituar në betejën me armë e shpatë, tani ata janë përgjegjës për të mbrojtur nderin, pasurinë dhe krenarinë e vendit,” shkruante ai. “Ata janë përballë një sprove historike: ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit, ose do të vënë në radhë të parë rrjete dhe vende të tjera. U takon talibanëve të sigurojnë popullin, kombet, sektorët, motrat dhe gratë e Afganistanit në mënyrë që të fitojnë legjitimitetin dhe zemrat e njerëzve”.
Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit afgan të Ripajtimit postoi një video në Facebook me kritika në adresë të zotit Ghani:
“Sipas mendimit tim, ish-presidenti e la vendin dhe popullin në një pozitë të keqe. Zoti do t’i kërkojë hakun,” thoshte zoti Abdullah.
My message to the people of AFGHANISNAN, to the security forces and to the Taliban: https://t.co/MiFk0zaNRJ
— Dr. Abdullah Abdullah (@DrabdullahCE) August 15, 2021
Të dielën në mëngjes, një delegacion i talibanëve hyri në diskutime me udhëheqës të njohur xhihadistë, politikanë dhe kryepleq afganë që përfunduan me dorëheqjen e Presidentit Ghani, thanë burime të talibanëve në dijeni të bisedimeve.
Sipas marrëveshjes që thuhet se u arrit, një delegacion me udhëheqës afganë, përfshirë zotin Abdullah, do të shkojnë në Katar “për transferimin e pushtetit në duart e talibanëve” në formë zyrtare. Zëri i Amerikës kontaktoi zëdhënës të talibanëve për të marrë konfirmim për këtë njoftim por ende nuk ka pasur reagime.
(Zëri i Amerikës)