Las Vegas, 5 shkurt 2024 – Presidenti Biden çeli një aktivitet për mbledhje fondesh ku u përqendrua në historinë e deklaratave provokative të ish-Presidentit Trump, duke i cilësuar, siç tha ai, si “pengje” ata që morën pjesë në trazirat e 6 janarit apo si “humbës” ushtarët e rënë në luftëra.
Zoti Biden ktheu në kujtesë edhe komentet e zotit Trump, të cilat, sipas tij, shprehimn dëshirën e tij për të qenë “diktator” që në ditën e parë të qeverisjes dhe zotimin e bërë përpara mbështetësve të tij se “do të marrë hak” për ta.
“Imagjinoni sikur të rizgjidhej Donald Trump. Ky është po ai që kur ndodhej në Francë dhe i kërkuan të shkojë në varrezat amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, aty ku janë të varrosur amerikanët, a e dini çfarë tha? Tha se ata që ishin varrosur në atë varrezë ishin dështakë dhe humbës… Kështu i mendon ai gjërat, kështu e quan djalin tim, i quan djemtë dhe vajzat tuaja që dhanë jetën për vendin ‘dështakë’ dhe ‘humbës’”, tha Presidenti Biden gjatë një tubimi më pas në Las Vegas.
Presidenti Biden tha se rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një makth për Shtetet e Bashkuara.
“Ju jeni e gjithë arsyeja përse unë jam president i Shteteve të Bashkuara. Ju jeni arsyeja përse Donald Trump është ish-president. Dhe ju jeni arsyeja përse Donald Trump do të humbasë përsëri”, tha ai.
Presidenti Biden foli dhe për investimet që administrata e tij i ka bërë në Nevada, përfshirë një linjë hekurudhore për trena të shpejtësisë së lartë që do të udhëtojnë mes Las Vegasit dhe Los Anxhelosit, me vlerë 3 miliardë dollarë.
“Gjërat po ndryshojnë. Ne jemi më të mirët, ne jemi vendi më novator në botë… Ashtu siç veproi Franklin Roosevelt me miratimin e Ligjit për Elektrifikimin Rural në vitet ’30-të, duke e dërguar energjinë në çdo shtëpi dhe fermë pasi ishte e domosdoshme… ne po sjellim internet me shpejtësi të lartë kudo në Amerikë. Interneti sot është thelbësor për të bërë biznes, ashtu siç ishte atëherë energjia”, tha ai.
Presidenti Biden nuk e përmendi çështjen e forcimit të kufirit apo të ndihmës për Ukrainën, ndërkohë që u njoftuan për detajet e një projektligji me buxhet prej 118 miliardë dollarësh, ku kombinohen të dyja çështjet.
(Sipas Zërit të Amerikës)