Biden në shënimin e Ditës D: Ne nuk do ta braktisim Ukrainën

Paris, 6 qershor 2024 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të enjten se bota e lirë është me Ukrainën dhe se nuk do të dorëzohet para agresionit rus. Ai ka bërë një paralele mes mbështetjes së Ukrainës dhe  luftës së aleatëve për çlirimin e Evropës nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore.

“Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk do ta braktisin” Ukrainën”, tha Biden të enjten në Normandi, ku u shënua përvjetori i zbarkimit të aleatëve në vitin 1944.

“Më besoni: Ne nuk do të përkulemi, ne nuk mund të dorëzohemi para bullizuesve; është thjesht e papërfytyrueshme. Nëse e bëjmë, liria do të jetë e nënshtruar, e gjithë Evropa do të jetë e kërcënuar”, tha Biden në ceremoninë e organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për nder të veteranëve të mbijetuar të Luftës së Dytë Botërore.

“Ukraina është pushtuar nga një tiran. Ata po luftojnë me guxim të jashtëzakonshëm, po pësojnë humbje të mëdha, por kurrë nuk po dorëzohen”, tha Biden.

Presidenti amerikan e lartësoi NATO-n si “aleancën më të madhe ushtarake në botë” dhe tha se ajo “është më e përkushtuar se kurrë më parë, për ta ruajtur paqen”.

Duke bërë krahasim me Luftën e Dytë Botërore, Biden tha se “izolimi i Amerikës nuk ishte përgjigje para 80 vjetëve dhe nuk është përgjigje as sot”, një referencë drejtuar disa politikanëve republikanë, të cilët janë skeptikë të mbështetjes amerikane për Ukrainën.

“Ne duhet ta kujtojmë patjetër se fakti që ata ishin heronj këtu atë ditë, nuk na liron neve nga ajo që ne duhet ta bëjmë sot. Demokracia nuk është e garantuar asnjëherë. Çdo brez duhet ta ruajë atë, duhet ta mbrojë atë dhe të luftojë për të. Kjo është sprova e epokave”, theksoi ai.

Në ceremoni morën pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri kanadez Justin Trudeau, Mbreti Charles III i Britanisë dhe krerë të tjerë shtetërorë dhe personalitete të tjera.

Ceremonia u mbajt afër Omaha Beach, emri i koduar i njërit prej dy vendeve ku zbarkuan forcat amerikane, ku trupat amerikane i pësuan më shumë se 2.500 të vrarë – që është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të trupave të vrarë të aleatëve në Ditën D.

Dita D ishte sulmi më i madh amfib në histori, ku morën pjesë 156.115 trupa nga 12 vende.

(r.m.)

Comment

*