Presidenti i SHBA, Joe Biden e pranon publikisht se stafi i tij është në kontakt me talebanët pëgjatë gjithë procesit të evakuimit në aeroportin e Kabulit.
Biden ndërkohë paralajmëron talebanët duke zbuluar se SHBA ia ka bërë të qartë nëse sulmojnë ndonjë amerikan atëhere do të ketë një kundërpërgjigje të shpejtë dhe të fuqishme.
Ai thekson se zyrtarët amerikanë po tregohen vigjilentë dhe monitorues në SHBA në rast se ndodh ndonjë sulm terrorist.
“Më lejoni të jem i qartë. Çdo amerikan që dëshiron të kthehet në shtëpi ne do t’ju çojmë në shtëpi,” – tha Biden.
Pavarësisht këtij zotimi, Biden nuk premton se si do të përfundojë operacioni i gjerë i evakuimit. “Nuk mund të premtoj se cili do të jetë rezultati përfundimtar”- shtoi Biden.
Momentalisht fluturimet nga Kabuli janë bllokuar pasi Presidenti informoi se po avanconin me evakuimet në pikat e tranzitit.
Presidenti amerikan, Joe Biden doli në konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, mbi situatën në Afganistan.
“Kemi bërë një proces të rëndësishëm“, thotë Biden, duke theksuar se SHBA ka siguruar aeroportin e Kabulit dhe po vazhdon me evakuimin e civilëve.
“Ky është një nga fluturimet më të mëdha, më të vështira në histori”, thotë ai .
Ndërsa Presidenti Biden më parë ka fajësuar afganët për dështimin e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar më shumë aleatë përpara marrjes së papritur të pushtetit nga talebanët këtë muaj, zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë Associated Press se diplomatët amerikanë kishin kërkuar zyrtarisht javë më parë që administrata Biden të shtonte përpjekjet e evakuimit.
Dhjetëra mijëra njerëz mbeten për t’u evakuuar përpara afatit të 31 gushtit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat e saj nga vendi, megjithëse ritmi u shtua shpejt. Një zyrtar i mbrojtjes tha se rreth 5,700 njerëz, përfshirë rreth 250 amerikanë, u evakuuan nga Kabuli me 16 avionë transporti C-17. Gjatë dy ditëve të mëparshme, rreth 2,000 njerëz në ditë u transportuan me avion.
BalkanWeb/OraNews