Uashington, 27 shkurt 2024 – Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se shpreson se një armëpushim i ri në Gazë do të arrihet në fillim të javës së ardhshme në kohë për Ramazan, muajin gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë. Por sipas zyrtarëve izraelitë, deklaratat e zotit Biden e befasuan Izraelin, ndërkohë që zyrtarë të grupit militant Hamas i cilësuan ato si të nxituara. Zyrtarët e Katarit, njërit nga ndërmjetësit kryesorë të përfshirë në negociatat për armëpushim, thanë se marrëveshja nuk është arritur ende, por shpresojnë për një përparim gjatë ditëve në vijim.
Presidenti amerikan Joe Biden u pyet për gjasat e një armëpushimi gjatë një vizite në Nju Jork, ku po qëndron për takime me donatorë.
“Këshilltari im për siguri kombëtare më thotë se jemi afër, afër por ende nuk kemi përfunduar punë. Shpresoj që deri të hënën e ardhshme do të arrijmë një armëpushim,” deklaroi zoti Biden.
Negociatorët janë të angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje që do të pezullonte luftimet për gjashtë javë. Marrëveshja do të përfshinte lirimin e pengjeve që po mbahen nga militantët e Hamasit në Gazë, si dhe lirimin e të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli dhe lejimin e qindra kamionëve me ndihma humanitare për banorët e Gazës.
Në një deklaratë tjetër të bërë gjatë një emisioni në kanalin televiziv amerikan “NBC” të martën pas mesnate, presidenti Biden tha se Izraeli tashmë është pajtuar të ndërpresë luftimet në Gazë gjatë Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjerojnë, i cili fillon më 10 mars dhe të mundësojë lirimin e pengjeve.
Por sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Katari, që ka luajtur rolin e ndërmjetësit kryesor, njoftoi se marrëveshja ende nuk është arritur. Zyrtarët e këtij shteti thanë se shpresojnë që të kenë një lloj marrëveshjeje gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë dy zyrtarë të Hamasit i thanë agjencisë Reuters se njoftimet për marrëveshje ishin të nxituara. Izraeli nuk i ka komentuar deklaratat e Presidentit Biden, por sipas mediave izraelite që citojnë zyrtarë izraelitë, ata janë befasuar nga komentet e presidentit amerikan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se armëpushimi i përkohshëm nuk ndryshon planet e Izraelit për ofensivën në qytetin jugor të Rafahut që synon të shkatërrojë Hamasin.
Paralajmërimet për ofensivën izraelite në Rafah kanë shqetësuar bashkësinë ndërkombëtare për shkak të numrit të madh të palestinezëve që jetojnë dhe që strehohen në këtë qytet nga pjesët e tjera të Gazës së shkatërruar.
Presidenti Biden deklaroi në rrjetin “NBC” se Izraeli po rrezikon të humbë mbështetjen ndërkombëtare nëse nuk ndërmerr hapa për të mbrojtur civilët.
Pjesa më e madhe e Gazës, një territor i ngushtë përgjatë Detit Mesdhe, është shkatërruar gjatë kundër-ofensivës së gjërë të Izraelit të nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite me 7 tetor, që la 1,200 të vrarë.
Lajmi për një armëpushim të mundshëm nxiti reagime të ndryshme në Rafah.
“Shpresojmë për një armëpushim të përhershëm, nuk duam luftë. Lufta pas armëpushimit të parë na shkatërroi ne dhe shtëpitë tona. Janë bërë tre muaj që kur jemi zhvendosur dhe jemi të lodhur nga ikja. Po rrimë në tenda, a mund ta imagjinoni? Nuk ka ushqime, ujë, nuk kemi gjërat bazike. Shpresojmë të arrihet një armëpushim i përhershëm dhe të kthehemi në vendet tona. Është e vërtetë se nuk ka më shtëpi, por shpresojmë të kthehemi në vendet tona. Nuk duam të jemi të zhvendosur. Kjo është shpresa jonë e vetme,” thotë palestinezja e zhvendosur Rehab Redwan.
Rreth 30,000 palestinezë janë vrarë në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi. Izraeli thotë se ka vrarë 12,000 militantë të Hamasit, grupit militant që qeveria amerikane e konsideron organizatë terroriste.
Hamasi ka rrëmbyer rreth 250 pengje gjatë sulmit në tetor. Rreth 100 pengje janë liruar gjatë armëpushimit në nëntor, ndërkohë që ushtria izraelite beson se rreth 30 pengje janë vrarë apo kanë vdekur në Gazë.
(Zëri i Amerikës)