Uashington, 2 shkurt 2024 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka vendosur sanksione ndaj katër kolonëve izraelitë, të akuzuar për sulme ndaj palestinezëve në Bregun e uzurpuar Perëndimor.
Ai e nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten, duke thënë se dhuna ka arritur në “shkallë të patolerueshme”.
Ata kolonë izraelitë ishin përfshirë në veprime të dhunës, si dhe kërcënime dhe tentime për ta shkatërruar apo uzurpuar pronën palestineze, sipas urdhrit, raporton Associated Press.
Urdhri i Bidenit nënkupton sanksione financiare dhe regjim vizash për individët të cilët i sulmojnë apo i frikësojnë palestinezët, apo ua uzurpojnë pronat atyre, tha të enjten këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan.
“Vendimi i sotëm synon promovimi ne paqes dhe sigurisë për izraelitët dhe palestinezët njëlloj”, tha Sullivan.
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej se Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – e sulmoi Izraelin më 7 tetor.
Urdhri i Bidenit është hap i rrallë kundër aleatit më të madh të SHBA-së në Lindje e Mesme, Izraelit, për të cilin Bideni thotë se ka të drejtë ta mbrojë veten. Por, presidenti demokrat i ka bërë trysni kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të tregojë më shumë vetëpërmbajtje në operacionet ushtarake që kanë për qëllim shkatërrimin e Hamasit.
Autoritetet palestineze thonë se disa palestinezë janë vrarë, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut thonë se kolonët kanë djegur vetura dhe i kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar të evakuohen.
“Kjo dhunë përbën rrezik të madh ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Bregun Perëndimor, në Izrael dhe në rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe i kërcënon interesat e sigurisë kombëtare dhe politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara”, tha Sullivan.
Në urdhër thuhet se dhuna nga kolonët i minon synimet e politikës së jashtme amerikane, “përfshirë zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete”.
Bideni i ka përsëritur thirrjet për një shtet të pavarur palestinez, i cili do të ekzistonte përkrah Izraelit. Ai ka thënë se gjetja e një mënyre për ta arritur sovranitetin palestinez, sapo të mbarojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, është thelbësore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
Netanyahu, megjithatë, e ka hedhur poshtë një ide të tillë gjatë karrierës së tij politike dhe u ka thënë zyrtarëve amerikanë se e kundërshton çfarëdo plani të pasluftës, i cili përfshin themelimin e një shteti palestinez.
Izraeli e uzurpoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, bashkë me Rripin e Gazës dhe Jerusalemin lindor.
Palestinezët i kërkojnë këto territore për një shtet të pavarur që shpresojnë ta kenë.
(REL)