Biden shpall fushatën për rizgjedhje

Viti 2024 duket se do të sjellë një përsëritje të duelit Biden-Trump. Anketimet tregojnë se shumica e amerikanëve do të preferonin dy kandidatë të rinj, në moshë më të re, or askush nuk ka mbështetje më të madhe në partitë përkatëse se këta dy udhëheqës.

Nga Ruben Avxhiu

Presidenti Joe Biden ka shpallur pak më parë fillimin e fushatës për rizgjedhjen e tij si President. Ai ka cituar luftën për liri dhe demokraci si motivimin e tij kryesor.

Në një video-mesazh që shpalli kandidaturën, Presidenti Biden tha se në pyetje është nëse “do të kemi më shumë apo më pak liri, më shumë apo më pak të drejta. E di se cila dua të jetë përgjigjia dhe mendoj se edhe ju e dini. Nuk është koha për të ndenjur mënjanë. Prandaj po kandidoj për t’u rizgjedhur”.

Biden është 78 vjeç, kurse Trump 76. Nëse fiton Biden do të jetë 80-vjeçari i parë në historinë e Amerikës që kandidon dhe zgjidhet President. Në fund të mandatit të dytë do të jetë 86. Tump gjithashtu do të jetë 80-vjeçari i parë në Shtëpinë e Bardhë nëse zgjidhet President.

Anketimet tregojnë se Guvernatori DeSantis do ta mundte Presidentin Biden nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, kurse Trump do të humbte. Mirëpo, anketimet gjithashtu tregojnë se Trump do të fitonte nëse DeSantis futet në garën brenda partisë. DeSantis nuk ka deklaruar ende kandidimin e tij, por vijon të studiojë situatën.

Republikanët kanë besim se inflacioni dhe problemet social-kulturore, të gërshetuara me problemet e moshës do ta dobësojnë shumë Presidentin Biden në 2024. Demokratët nga ana tjetër kanë besim se çështja e të drejtës së gruas për të zgjedhur për abortin, mosbesimi i votuesve të pavarur ndaj ish-Presidentit Trump, kujtimi i përpjekjes së dhunshme të 6 janarit 2021 për të rrëzuar rezultatet e zgjedhjeve etj do të anojnë peshoren nga Presidenti Biden.

Nëse Trump do të tërhiqej apo do të binte në anketime mes republikanëve, e majta demokrate do të kërkonte me ngulm një kandidat tjetër. Shumica e demokratëve besojnë se Biden e mund me lehtësi ish-Presidentin Trump, kurse shumica e republikanëve e duan rikthimin në Shtëpinë e Bardhë vetëm me Presidentin Trump. Nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim drastik, duket se brezi i ri në politikën amerikane duhet të presë edhe katër vjet për të provuar diçka tjetër.