Bie Qeveria e Dritan Abazoviqit

Podgoricë, 19 gusht 2022 – Kuvendi i Malit të Zi e ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit, pas dymbëdhjetë orë diskutimi.

Qeveria është rrëzuar me 50 vota për dhe një kundër.

Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Tash e tutje qeveria e Abazoviqit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare ‘Ura’ të Abazoviqit nuk morën pjesë në votim.

Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.

Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.

Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviq tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje

Ai tha se shpreson që shpejti do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj.

Qeveria e tij u rrëzua pas kërkesës se SDP-së, partisë së presidentit Millo Gjukanoviq. Abazoviq ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.

“Sonte votohet iniciativa e DPS-së, e cila tha se kur ta rrëzojnë Qeverinë do ta anulojë Marrëveshjen Themelore. Nëse sonte e rrëzoni qeverinë, mos na thirrni më për negociata. Marrëveshjen Themelore nuk e kam nënshkruar as për vota, as për mbështetje, as për qeveri, por për pajtimin e popullit të Malit të Zi”, tha gjatë seancës Abazoviq.

Dritan Abazoviq ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviq u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.

Me herët, gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviqi ka propozuar ristrukturimin e qeverisë së tij. Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste Popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e ekzekutivit.

Kjo iniciativë, e cila erdhi gjatë seancës ku po diskutohej mocioni për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviqit, përmban parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re dhe u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që t’i bashkohen iniciativës, përveç atyre që kanë iniciuar mosbesimin ndaj saj.

Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga vet Abazoviq, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisnin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.

(REL)