Bill Clinton për situatën në veri të Kosovës: “Duhet të ndalet kjo marrëzi”

Tiranë, 3 korrik 2023 – Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, në ceremoninë e organizuar për nder të tij në Tiranë, një pjesë të mirë të fjalës ia kushtoi Kosovës.

Ai kujtoi angazhimin e tij për parandalimin e spastrimit etnik në Kosovë dhe shprehu kënaqësinë që populli i Kosovës i është mirënjohës për këtë.

Zoti Klinton shprehu shqetësimin për situatën aktuale në pjesën veriore të Kosovës. Ai i cilësoi të gabuara zgjedhet lokale në katër komunat veriore që u bënë shkas për tensionimin e situatës atje. 

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj se autoritetet kanë bërë një gabim me zgjedhjen e katër kryetarëve të rinj”, tha Clinton.

“Kosovarët i krijuan ato katër qytete në të mirë të serbëve, për t’u dhënë katër kryebashkiakë më shumë, kështu që mendoj se tash kanë bërë një gabim. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët shumicë të përpiqen të përfitojnë nga momenti për ta paraqitur argumentin e tyre’, shtoi ai.

Clinton u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që ta ndalojnë, siç u shpreh, “këtë marrëzi”.

“Duhet të përfitojnë nga momenti për ta ndalur këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ka njerëz që jetojnë atje, kanë nevojë të kenë qeverisje të denjë”, tha Clinton.

Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë morën pjesë edhe nga disa fëmijë e të rinj kosovarë që mbajnë emrin e tij apotë bashkëshortes së tij, Hillaryt, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e shqiptarëve të Kosovës në orën më kritike të tyre.

Bill Clinton u dekorua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me “Yllin e Mirënjohjes për Arritje Publike”. Me rastin e dorëzimit, Rama tha se ai nuk ka fjalë që mund të shprehin mjaftueshëm respektin për çfarë ka bërë Clinton për shqiptarët.

(r.m.)