BIRN: Burgosja e Fredi Belerit u bazua në një certifikatë me të dhëna të pavërteta

Një dëshmi penaliteti me rezultatin “i dënuar” ishte një ndër argumentet kryesore për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, më 13 maj 2023, por gjatë procesit gjyqësor u zbulua se certifikata kishte të dhëna të pavërteta.

Edmond Hoxhaj, BIRN

Kandidati për kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe u la më pas në masën e “arrestit me burg” nga Gjykata e Vlorës me argumentin se i akuzuari paraqiste rrezikshmëri pasi “siç rezulton edhe nga aktet, ai është i dënuar më parë”.

Por të dhënat e siguruara nga seanca e së enjtes në Prokurorinë e Posaçme kundër Belerit tregojnë se saga e mbajtjes së tij në masën e “arrestit me burg” u bazua fillimisht mbi një certifikatë të gjendjes gjyqësore me të dhëna të pavërteta.

I thirrur si dëshmitar në proces, punonjësi i IT-së në Prokurorinë e Vlorës, Ledion Jonuzaj deklaroi të enjten se pas arrestimit të Belerit, prokurorja Matilda Peza i kishte kërkuar atij që të shkarkonte nga sistemi i gjendjes gjyqësore një certifikatë të gjendjes gjyqësore të Belerit, ku ai rezultoi “i dënuar”.

Por pasi ishte kallëzuar nga Beleri për falsifikim të certifikatës së tij të gjendjes gjyqësore, Jonuzaj tha se kur ishte thërritur në SPAK, i ishte kërkuar që të printonte një certifikatë të dytë të gjendjes gjyqësore të Belerit nga sistemi.

“Në dëshminë e dytë rezultonte i padënuar,” deklaroi Jonuzaj para gjykatës.

Sistemi i Gjendjes Gjyqësore menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë dhe aksesohet nga prokuroritë mbi bazën e një memorandumi me Prokurorinë e Përgjithshme.

Kur u pyet nga kryesuesi i trupit gjykues nëse certifikata e gjendjes gjyqësore mund të dilte ndryshe për të njëjtin individ, Jonuzaj u shpreh se duhej të pyesnin Drejtorinë e Burgjeve për të marrë përgjigje për këtë rrethanë. Dëshmitari pohoi në vijim se certifikata e gjendjes gjyqësore të shfaq “të dënuar ose të padënuar, por jo të rehabilituar”.

Arrestimi i Belerit për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje nëntë muaj më parë dhe humbja e mundësisë për t’u betuar dhe për të marrë zyrtarisht mandatin e kryebashkiakut, është kthyer tashmë në problemin kryesor të marrëdhënieve me Greqinë dhe në pengesë për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Në samitin e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt më 14 dhjetor në Bruksel, kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, përsëriti qëndrimin e prerë të Greqisë për çështjen “Beleri” dhe ndikimin që do të ketë vetoja e saj në hapjen e negociatave me BE-në.

Ndryshe nga pala greke, kryeministri Edi Rama e cilëson arrestimin e Belerit “një çështje të drejtësisë”.

Certifikata e gjendjes gjyqësore ishte një ndër dokumentet kyçe që u përdor nga Prokuroria e Vlorës dhe më pas nga gjykata për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Belerit më 13 maj 2023.

Në vendimin e marrë nga gjyqtarja Dorina Stroka e Gjykatës së Vlorës arsyetohet se kërkesa për të vendosur masën më të ashpër të sigurimit personal duhet domosdoshmërisht të shoqërohet nga një analizë ligjore-faktike e mbështetur në prova dhe argumenta bindës, lidhur me personalitetin dhe rrezikshmërinë që ky person shfaq në jetën e tij sociale.

“Në rastin konkret u arrit të provohej se shtetasi i arrestuar paraqet një rrezikshmëri të tillë shoqërore sa çdo masë tjetër sigurie do të ishte e papërshtatshme dhe duhet vendosur masa e ‘Arrestit ne burg’, pasi siç rezulton dhe nga aktet, ai është i dënuar më parë”, thuhet në vendim.

I pyetur nga BIRN mbi përdorimin e certifikatës gjyqësore me të dhëna të pavërteta në fazën fillestare të arrestimit të Belerit, drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka fajësoi sistemin online të gjendjes gjyqësore, i certifikuar sipas tij nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas Zarkës, kërkimet kryhen nga punonjësi IT-së dhe në atë kohë Beleri ka rezultuar i dënuar në sistem. “Ne nuk ndërhyjmë dot në sistem. Kemi akses vetëm që të shikojmë të dhënat dhe të printojmë,” tha Zarka në një bisedë telefonike.

Megjithatë, ai shtoi se dëshmia e penalitetit kishte qenë një argument shtesë për kërkimin e caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, por kryesore ishte mundësia e largimit dhe vijimi i blerjes së votave.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën e Posaçme, prokurori i SPAK, Adnan Xholi kërkoi që të administroheshin në funksion të gjykimit fashikujt e çështjes lidhur me kallëzimin penal të kryer ndaj Jonuzajt për falsifikim, të konkluduar nga SPAK me vendim mosfillimi.

Sipas Xholit, në atë hetim janë sqaruar gjithë rrethanat lidhur me dëshmitë e ndryshme të  penalitetit të gjeneruara nga sistemi për Belerin. Po ashtu, ai kërkoi që të merren si prova deklarimet e nëpunëses së Ministrisë së Drejtësisë, Anila Paçi, e cila sipas tij, ka shpjeguar se si është ndryshuar sistemi.

Avokatët e Belerit kërkuan që të mos administroheshin aktet e kërkuara nga prokuroria, duke pretenduar se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për lënien në fuqi të mosfillimit të hetimit ishte rrëzuar nga Apeli, që e kishte dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për intepretim. Sipas tyre, kallëzimi ndaj Jonuzajt konsiderohet ende nën hetim dhe nuk mund të bëhej pjesë e gjykimit të një çështje tjetër që po gjykohet në themel.

Pasi gjykata e pranoi kërkesën e prokurorisë, avokatët e Belerit kërkuan që të thirret si dëshmitare punonjësja e Ministrisë së Drejtësisë, Anila Paçi – kërkesë që dhe kjo u pranua nga trupi gjykues.

Avokati Eugen Gjyzari pohoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik të enjten pas seancës gjyqësore se Beleri ishte i rehabilituar dhe rezultonte i padënuar në kohën kur është caktuar ndaj tij masa e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas Gjyzarit, kjo rrethanë ishte konfirmuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ që e kishte lejuar të kandidonte në zgjedhjet vendore të majit 2023, ndryshe nga sa kishte ndodhur në 2019-ën, kur nuk ishte lejuar. Duke iu referuar nenit 69 të Kodit Penal, Gjyzari tha se është e ndaluar me ligj që “një i rehabilituar të konsiderohet i dënuar”.

Në vendimin e KQZ për verifikimin e të dhënave të formularit të vetëdeklarimit të Belerit, rezulton se ky i fundit i ka deklaruar dy dënimet e tij në vitin 1999 me 18 muaj burgim dhe në vitin 2006 me 3 vjet heqje lirie. Megjithatë, është lejuar të kandidojë për kryetar të Bashkisë Himarë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi lidhur me sistemin që kishte gjeneruar të dhëna të kundërta në dëshminë e penalitetit të Belerit.

Përveç problemeve me certifikatën e gjendjes penale, avokatët e Belerit kërkuan sërish të enjten thirrjen për t’u pyetur si dëshmitar të bashkëpunëtorit të policisë, Arsen Rama, me pretendimin se gjatë gjykimit kishin dalë rrethana të reja. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata me argumentin se ishte ezauruar më parë.

Gjykata bëri me dije se Drejtoria e Policisë kishte refuzuar të jepte përgjigje lidhur me kërkesën e avokatëve të Belerit për pagesat e pretenduara të dëshmitarit dhe bashkëpunëtorit Arsen Rama. Policia është shprehur se të dhënat përbëjnë “sekret” dhe nuk mund të jepen, edhe pse për marrjen e këtyre të dhënave u investua Gjykata e Posaçme.

Pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë refuzoi të informojë edhe gjykatën me justifikimin se të dhënat ishin sekrete, kjo e fundit vendosi ta ripërsërisë kërkesën.

(Reporter.al)