“Gjuhën Shqipe unë doja që ta shihja të gjallë e për shumë vite të tjera, të dokumentuar në arkivat historikë të Universitetit tonë, si një gjuhë që këmbëngul në një komb të qëndresës”.
Ngjarja e cila ka ngelur thellë në mëndjen time si një fëmijë pesë vjeç ishte pjesëmarrja ime në rivarrimin e gjyshit tim nga mami dhe 15 anëtarëve të familjes së tij, Mirena (1999). Ata u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, eshtrat e tyre u gjetën në një varrezë massive ne Serbi…
Zonjusha Ballina Prishtina është inisiatore e mësimit të Gjuhës Shqipe duke e futur në programin e Universitetit të Pennsilvanisë si lëndë mësimore. Si një studente e këtij universiteti ndër më të mirët në Amerikë, ajo arriti të realizojë ëndrrën e saj pas shumë përpjekjesh dhe të na bëj krenar të gjithëve.
Ju ftoj të lexoni bisedën më poshtë:
Zonjusha Ballina Prishtina që më emocionon pamasë me emrin dhe mbiemrin tënd aq të bukur dhe domethënës na tregoni ju lutem përpjekjet tuaja, mundimet dhe realizimin e kësaj ëndrre me sukses për të gjithë shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë?
Faleminderit për mundësinë që më dhatë, është kënaqësi dhe privilegj të jap këtë intervistë për gazetën Dielli dhe Illyria. Identitetin e njeriut e njohim nga emri e mbiemri i tij. Kjo ishte motoja e babit tim që ma vuri këtë emër. Uroj që të jetë një frymëzim për prindërit e rinj që t’i pagëzojnë me emra shqip e domethënës fëmijët e tyre, që ta ruajmë identitetin kombëtar ndër breza e shekuj…
Fillimisht, UPenn si universitet obligon çdo student të marrë një gjuhë të huaj. Në qoftë se studentët tani kanë njohuri në një gjuhë të huaj, ata mund të testohen dhe t’i ikin këtij obligimi. Unë vendosa të mos testohem për gjuhën shqipe, dhe zgjodha gjuhën frënge si gjuhë të huaj. Kur pashë listën e ofruar nga universiteti, ishte një listë e gjërë që përfshinte gjuhë të folura nga miliona njerëzish, sikurse gjuha frënge, italiane, spanjolle, kineze, apo edhe ruse, mirëpo kishte edhe gjuhë që janë më pak të folura ndërkombëtarisht, sikurse gjuha greke, çeke, apo edhe ajo turke. Mendova dhe thashë me vete, nëse ofrohen gjithë këto gjuhë të huaja, pse mos të figurojë në këtë listë gjuha jonë shqipe, që posedon një trung të vetëm në hartën e gjuhëve të botës, që nuk përmban asnjë lidhje me ndonjë gjuhë tjetër, e që daton si gjuhë e lashtë dhe iu vu ballë okupimeve mijë-vjeçare. Në ato momente kujtova një thënje të mamit tim që shumë shpeshë ma thotë, “If you don’t ask, the answer is always no,” dhe vendosa të pyes se cilat ishin mundësitë.
Unë kur kontaktova administratën me idenë që gjuha shqipe të jetë e përfshirë në listën e gjuhëve të ofrurara përgjatë vitit të rregullt akademik, ata pyetën nëse unë po mendoja për një klasë fillestare apo të lartë, dhe une iu përgjigja të dyja. Në fillim kishte hezitim nga ana e administratës se a do kishte mjaft studentë të interesuar në mënyrë që të krijohet një klasë me numër të konsiderueshëm studentësh. Ata më thanë që duhet të bëja një peticion me nënshkrimet e studentëve që pranonin të kenë interesim në këtë lëndë. Pasi shpërndava peticionin te grupi i shqiptarëve në Penn, e shpërndava peticionin edhe nëpër universitet. Kur mblodha mjaft nënshkrime, iu ktheva administratës me provë që ka me të vërtetë interesim në këtë gjuhë. Pas një procesi të gjatë burokratik dhe me disa këmbëngulje gjatë procesit, më lajmëruan që klasa fillestare e gjuhës shqipe do ofrohet për herë të parë gjatë semestrit pranveror të vitit 2024. Më në fund, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në UPenn, iu shtua edhe gjuha shqipe. I uroj të ketë një rrugëtim të gjatë e frytdhënës.
Pati skeptikë në administratën e UPenn-it për mosrealizimin e futjes së Gjuhës Shqipe në programin akademik?
Nuk është se kishte skeptikë, por kërkoheshin kritere të cilat duhet të plotësoheshin.
Si u mirëprit nga studentët shqiptarë në qoftese ka, por dhe nga të huajt?
Penn Albanian Society, apo Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Penn është një klub i themeluar në UPenn të cilin unë e udhëhoqa si presidente gjatë vitit akademik 2020-2021. Klubi e mirëpriti lajmin me shumë entuziazëm, ku mora shumë mesazhe dashamirëse, si nga studentët e tanishëm shqiptar, ashtu edhe nga ata të diplomuar duke shprehur mirënjohje të thellë dhe se me padurim presin të fillojnë këtë nismë kuptimplotë. Ndërsa studentët e huaj, me të cilët kisha kontakt, ata përgjatë viteve e kishin kuptuar sa vlenë gjuha shqipe për mua dhe sa shumë doja ta shihja si lëndë të ofruar në UPenn. Ata e mirëpritem duke më shprehur një “Well done” të fuqishëm dhe më dërguan mesazhe mbështetëse për realizimin e kësaj ëndërre.
Cila është fëmijëria juaj dhe historia e familjes tuaj?
Unë kam lindur në Amerikë nga prindër të mbijetuar të luftës, të cilët u dëbuan me dhunë nga shtëpia e tyre në Prishtinë, dhe përfunduan refugjat në Bronx të New York-ut (1999). Si shumë refugjatë të tjerë, ata erdhen me rrobat që i kishin në trup dhe një trastë me gjëra elementare. Aty qëndruan për një vit, dhe pastaj kaluan në Hackensack, New Jersey, ku edhe linda unë (2001) dhe u rrita deri në moshën 5 vjeçe. Mirëpo, kur forcat e NATO-s e çliruan Kosovën, prindërit e mi ishin vetëm fizikisht në Amerikë, por me mëndje e me shpirt ishin në Kosovë. Qëndrimi në mërgim iu dukej sikur nënvlerësim i secilës jetë që u flijua për të na dhuruar një Kosovë të lirë. Kështu që në vitin 2006, pasi u natyralizuan me shtetësinë Amerikane vendosën të kthehen për të punuar për ushtrinë Amerikane në Camp Bondsteel në Kosovë.
Unë u rrita në Kosovën e lirë, në trojet e të parëve tanë, në vendin martir të shqiponjave, duke folur gjuhën e nënës. Vijova mësimin fillor në shkollën “Ismail Qemali” dhe e mbarova me merita të larta ku edhe u zgjodha kryetare e rinisë së shkollës gjatë vitit shkollor 2015-2016.
Pastaj, shkollimin e mesëm e vazhdova në “American School of Kosova” ku iu nënshtrova testeve dhe dola me pikët maksimale dhe fitova bursë të plotë. Gjatë shkollimit të mesëm u zgjodha kryetare e Model United Nations (MUN), ku përfaqësova shkollën në disa konferenca jashtë vendit: RCIMUN në Robert College, Stamboll (2017); BERMUN në John F. Kennedy School, Berlin (2017); PORGMUN në Anglo-American University, Pragë (2018); dhe WESTMUN në University of Westminster, Londër (2018).
Gjatë vitit shkollor 2017-2018 u pranova në Harvard Summer School. Shkuarja në Harvard ishte një përvojë që më rriti dhe më krijoi një vizion ndryshe për moshën që kisha. Më ndihmoi të krijoj njohuri të reja për sistemin Amerikan të shkollimit universitar.
Dhe fare në fund u përzgjodha që të jem Salutatorian për të mbajtur fjalimin përshëndetës në ceremoninë e diplomimit të Class of 2019 në American School of Kosova.
Qershia mbi tortë ishte pranimi në University of Pennsylvania, universitet elitar që bënë pjesë në Ivy League, e që grupon 8 universitetet më prestigjioze në Amerikë. Aty njoha profesorë dhe studentë që punonin fortë dhe mbartnin vlera e cilësi, ku arrita të zhvilloj potencialin tim dhe të avansoj në fushën time.
Pas gjithë këtij rrugëtimi, u detyrohem prindërve të mi, për fëmijërinë që kisha pavarësisht përvojave të tyre të rënda, për dashurinë e pa kusht që më falën, që ishin busullë orientimi për mua dhe burim inkurajimi për çdo hap që unë hodha. Falë tyre jam këtu ku jam.
Ngjarja e cila ka ngelur thellë në mëndjen time si një fëmijë pesë vjeç ishte pjesëmarrja ime në rivarrimin e gjyshit tim nga mami dhe 15 anëtarëve të familjes së tij, Mirena (1999). Ata u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, iu dogjën shtëpitë, u masakruan dhe trupat e tyre i dërguan në Serbi për t’i fshehur gjurmët e krimit. Pas 8 vitesh, eshtrat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Serbi ku përmes kryqit të kuq ndërkombëtar, trupat e tyre u riatdhesuan dhe u rivarrosen për t’u prehur në paqë në Kosovën e lirë. Liria që e gëzojme sot gjitmonë do të mbizotërojë mbi dhimbjen por duke pritur që drejtësia të triumfoj e të ndëshkohen vrasësit.
Ata janë të paharruar në kujtesën tonë e të popullit, gjithmonë duke pritur që drejtësia të triumfoj dhe t’i ndëshkojë vrasësit.
Ju jeni diplomuar në Maj të këtij viti në këtë universitet, cilat janë disa nga arritjet tuaja akademike dhe planet tuaja për të ardhmen?
Unë u diplomova nga UPenn në Maj të vitit 2023 me merita të larta Magna Cum Laude, në dy drejtime (double major): politikë internacionale dhe histori diplomatike. Gjithashtu kreva minor në kinema dhe media, si dhe u çertifikova për studimet e gjuhës frënge. Gjatë studimeve në UPenn jam ndjerë shumë e mirëpritur dhe e lirë për t’i ndjekur ambiciet e mia.
Ka shumë çaste kur jam ndjerë krenare gjatë kohës sime në UPenn. Fillimisht, unë isha presidente e shoqatës së shqiptarëve në UPenn, (2020-2021) ku organizova një konferencë tre-ditore që vuri në theks shqiptarë të arritur në fushat e inxhinierisë, politikës, dhe biznesit. Studentët kishin rastin të merrnin njohuri nga këta të ftuar dhe t’i shfrytëzonin këshillat e tyre.
Në fillim të vitit të tretë të studimeve (2021), unë u përzgjodha nga universiteti që të jem pjesë e programit Penn in Washington në Penn Biden Center, Washington DC. Aty ndiqja 4 klasa nga ky program dhe paralelisht bëja praktikën në Senatin Amerikan në Komitetin e Punëve të Jashtme për një semestër të plotë. Praktika që kreva në Senatin Amerikan sot e kësaj dite mbetet një ndër eksperiencat më të mira të jetës sime, ku e pashë demokracinë në veprim dhe dhashë kontributin tim për legjislaturën Amerikane. Isha prezente në shumë takime që kishin për objektiv Europën dhe shumë shpesh Shqipërine dhe Kosovën. Në të njejtën kohë, kur përfundova programin u përzgjodha nga dejtuesja e programit, Prof. Dr. Deirdre Martinez, të asistoj mësimin e programit gjatë gjysëmvjetorëve të ardhshëm (2021-2023). Të gjitha këto përvoja më ngritën shumë akademikisht.
Sa i përket anës hulumtuese, dy punimet hulumtuese që dua t’i përmend janë: 1) Punimi hulumtues për punën e Presidentit Bill Clinton në Kosovë (2022), për të cilën do të flas më vonë; dhe 2) Punimi hulumtues për shqiptarët të cilët luftuan në luftën civile të Spanjës, dhe influenca që kishin ata në politikën e Shqipërisë (2022). Kjo e dyta u bë nën Prof. Dr. Antonio Feros dhe u zgjodh punimi më i mirë i vitit në departmentin e historisë europiane ku fitova çmimin Jack Reece prize.
Gjithashtu dua ta përmend një moment tjetër, ku unë isha organizatore e marshit për Ukrainën. Ky qe një moment solidarizimi ku të gjithë studentët marshuam në përkrahje të lirisë dhe demokracisë, pavarësisht prejardhjes. Ky marsh u vlerësua shumë nga universiteti si një organizim mbresëlënës.
Sa i përket planeve për të ardhmen, synoj që të përfundoj edhe studimet master në Amerikë në të ardhmen e afërt.
Ju keni përfunduar me sukses praktikën në Departamentin e Shtetit këtë verë dhe keni marre pjesë në seminarin e politikës se jashtme nën Sekretarin Blinken. Ju shkruani ne F/B se duke ecur nëpër korridoret e Departamentit të Shtetit keni ndjerë praninë e Sekretares së ndjerë zonjes Albright. Cilat janë disa nga momentet tuaja më të bukura për këtë përvojë të mrekullueshme?
Mund të them që çdo ditë pune e imja nën Sekretarin Blinken ka qenë rikujtim i punës së mahnitshme ndërkombëtare që bënë Amerika për botën dhe shqiptarët. Unë punova në departmentin legjislativ ku kisha për detyrë koordinimin e punës ndërmjet anës legjislative dhe ekzekutive të qeverisë. Përndryshe, ishte një eksperiencë fantastike ku unë mësova shumë dhe pashë se ku kanë buruar vendimet më të mëdha për çlirimin e Kosovës. Një nga momentet më të bukura ishte pjesëmarrja në seancat e nominimeve të ambasadorëve amerikan, ku isha në mesin e senatorëve të komitetit të punëve të jashtme, si dhe takimi me shumë zyrtarë që vizitonin Departmentin e Shtetit.
Ju vizituat Bibliotekën Presidenciale Bill Clinton në Little Rock, Arkansas, përpos mirënjohjes së pakufishme për Presidentin Clinton cili ishte tjetër qëllimi i vizitës suaj?
Gjatë studimeve të mia në UPenn, unë mora një klase të cilën e ligjëronte Prof. Dr. Dwight Eisenhower, nipi i ish-Presidentit Eisenhower. Kjo lëndë fokusohej në historinë e komunikimeve të presidentëve amerikan. Klasa për qëllim e kishte që secili student të zgjedhë një president amerikan për të e hulumtuar një pjesë specifike të karrierës së tij, duke udhëtuar për në bibliotekat presidenciale të tyre. Kështu që UPenn më dergoi mua në Little Rock, Arkansas në biblioteken presidenciale të Presidentit Clinton për të hulumtuar komunikimin dhe lidhjen e Presidentit Clinton me Kosovën. Aty kisha çasje në burimet primare dhe korrespondencën që Presidenti Clinton kishte kryer prapa skenave për Kosovën. Ishte kënaqesi e madhe të shihja që një pjesë e dukshme e muzeut të Presidentit Clinton shfaqte punën e tij në Kosovë, si dhe çlirimin e Kosovës.
Pas studimeve akademike keni menduar të ktheheni një ditë në Kosovë, Mëmëdhe?
Qëllimi im është që gjithmonë të kontriboj për demokracinë në botë. Nuk e kryqëzoj idenë që të kthehem në Kosovë, nëse paraqitet mundësia. Për momentin jam njëqind-përqind e fokusuar në studimet e mia akademike.
Shume faleminderit e dashur Ballina, balli i vajzave dhe në emër të bordit të Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online jeni e mirëpritur të vizitoni këto mjedise dhe të bëheni frymëzim për qindra të rinj që vazhdojnë këto shkolla.
Nëntor, 2023
New York