Bisedë me zonjushen Ema Hila, garuese për Miss Shqipëria 2023

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Ema Hila është një shqiptaro amerikane me banim në Florida.  Ajo është 17-vjeçe dhe po merr pjesë në Konkursin “Miss Shqipëria” 2023.

Si një anëtare aktive e Diasporës natyrshëm ndihem krenare që këto bija shqiptarësh dhe pse rriten në Amerikë shkojnë në rrënjët e tyre dhe nuk i harrojnë kurrë.

Le të ndjekim bisedën:

Zonjushe Hila sa vjeçe keni ardhur në Amerikë dhe cila ka qenë fëmijëria juaj?

Përshëndetje, unë kam ardhur në Amerikë kur isha vetëm 10 vjeçe dhe që në atë moment fëmijëria ime ndryshoi krejtësisht. Nga një fëmijëri “argëtuese” dhe tradicionale, u kthye në një fëmijëri më të “shtrirë” dhe të qetë. Sigurisht, si çdo njeri kur vjen në Amerikë e ndjen ndryshimin thellësisht, por falë familjes time dhe përkushtimit të tyre, kjo fazë e jetës nuk kaloi si një “traumë” tek unë. Pavarësisht këtij ndryshimi në dy kontinente të ndryshme, fëmijëria ime ka qenë e njëjtë me një fëmijë të moshës sime.

Ju jeni vetem 17 vjeçe, por keni një portofol të pasur në fushën e modës në Shtetet e Bashkuara, na flisni ju lutem për këtë karrierë artistike?

Fillimet e mia në fushën e modelimit kanë filluar kur kam qenë 15 vjeçe, konkretisht në Barbizon. Më pas, nga pjesëmarrja ime në “Passport To Discovery,” fitova shumë kontrata me agjenci të ndryshme në botë, gjithashtu shumë vetëbesim dhe një dashuri akoma më të madhe për kompeticionet dhe sfidat. Rruga ime vazhdoi duke marrë pjesë në “Scene To Be Seen,” dhe më pas duke u bërë pjesë e kompanisë Turk&Turk në Miami, FL. Pasioni, qejfi dhe përkushtimi im ndaj botës së modelimit më kanë ndihmuar të ec përpara.

Sa kohë ju kushton të merreni me këtë fushë dhe si ja dilni për të qenë dhe një nxënëse e shkëlqyer në shkollë të mesme në Florida?

Asnjëherë më parë më nuk më është dashur të balancoj angazhimin ndaj modelimit, skuadrës së cheerleading dhe shkollës në të njëjtën kohë. Por fatmirësisht, ja kam dalë me sukses. Mendoj se disiplina dhe korrektësia në menaxhimin e kohës është çfarë bën të mundur të kesh sukses në çdo gjë që bën. Ka pasur raste kur duhej të mbaroja mësimet në shkollë, sepse pas shkolle kam pasur ndeshje deri në orën 10:30 pm, dhe të nesërmen modelim në orën 7 am. Sigurisht, që kam prioritizuar shkollën, por jam munduar t’i jap po aq rëndësi modelimit edhe skuadrës.

Kur ju ka nisur kjo ëndërr e bukur dhe a mendoni se njëditë do të pushtoni mediet si një top modele?

Kjo ëndërr e bukur ka nisur bashkë me mua. Gjithashtu, gjatë gjithë fëmijërisë sime, suporti dhe dëshira e familjes sime më kanë frymëzuar ta bëj këtë ëndërr realitet. Në të ardhmen e afërt, pres nga vetja që të jem një influencer dhe top modele në media sociale, duke shpresuar që mund të kem sado pak fuqi për t’i inkurajuar vajzat të kenë vetëbesim në vetveten dhe në atë që bëjnë. Por si profesion, kam dëshirë të madhe të vazhdoj për mjekësi, pasi mendoj se nuk ka forcë më të madhe se të ndihmosh dikë në nevojë.

Cilat janë disa nga përshtypjet tuaja në natën e parë të siparit të edicionit të 25-të, ku ishin të pranishëm emra të njohur nga showbizi shqiptar, artistë, politikane etj?

Sigurisht, që në natën e parë kur takova të gjithë stafin dhe konkurrentët, kisha jashtëzakonisht shumë emocione. Ndoshta nga kamerat, vajzat apo edhe vetë nga lumturia që kisha brenda vetes! Por kur i pashë se të gjithë ishin të qeshur dhe të ëmbël, u ndjeva më e qetë. Të pranishëm ishin Petri Bozo, Drita Ziri, Hygerta Sako, Olta Ahmetaj, Ertemiona Mejdani. Të cilët jo vetëm na mikëpritën në mënyrë shumë të shkëlqyeshme, por edhe kishin një humor që të bënte për vete.

Cilat janë ëndrrat e tua për të ardhmen?

Në të ardhmen, unë endëroj që t’i kem plotësuar vetes dëshirën dhe pasionin për botën e modelimit. Por përveç kësaj, sigurisht kam dëshirë të kem profesionin e ëndrrave të mia, i cili është “gjenetologe,” dhe të ndihmoj sa më shumë vajzat. Gjithashtu, dua të eci kudo nëpër botë me kokën lart.

Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët në Amerikë dhe kudo në Diasporë?

Ajo që unë ka dëshirë t’i them çdo shqiptari nëpër botë është: “Kudo që jeni, mos harroni nga cili vend vini dhe çfarë gjaku kemi brenda venave tona, gjithmonë rikthehuni Shqipërisë për ta zbukuruar akoma më shumë këtë vend që na bën kaq krenar.”

Faleminderit për bisedën dhe shumë urime nga unë dhe TV “Alba Life” USA

Zonja Kozeta keni falënderimet e mia për punën dhe mundësinë që ofruat. Ju falënderoj nga zemra dhe suksese juve dhe TV “Alba Life” USA.

29 Qershor, 2023

New York