Bisedimet Kosovë – Serbi për dinarin vazhdojnë të mërkurën në Bruksel

Bruksel, 13 maj 2024 – Bashkimi Evropian ka ftuar Kosovën dhe Serbinë në takim të mërkurën në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur të hënën në konferencë për media se palët do të takohen për ta vazhduar bisedimet në gjetjen e zgjidhjes së përkohshme në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

Ai tutje ka thënë se BE-ja pret që palët të jenë të gatshme për të arritur kompromis.

“Përfaqësuesi special për dialogun ka ftuar kryenegciatorët të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojmë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, për të prekurit nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se kjo çështje po e zhvendos vëmendjen nga përparimi në zbatim të marrëveshjes së Ohrit.

“Me secilin takim shpresojmë të jetë e fundit që merremi me këtë çështje. Po zhvendoset vëmendja nga ajo që është e nevojshme, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit… Shpresojmë palët të sillen në mënyrë evropiane, e të arrijnë marrëveshje kompromisi… Varet nga palët të arrijnë një kompromis të pranueshëm”.

(r.m.)