Sarajevë, 23 shkurt 2026 – Gazeta bitanike “Times” ka vazhduar të hetojë historinë e skandalit “Sarajevo Safari”. Kjo gazetë britanike me renome të mirë, duke cituar disa dëshmitarë, ka raportuar se një grua e pasur rumune, tash për tash e paidentifikuar, i ka vrarë me snajper dhjetë qytetarë të Sarajevës në fillim të viteve 1990, kur qyteti ishte nën rrethim nga forcat serbe.
Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se nuk është e befasuar që historia e këtij krimi të tmerrshëm është përditësuar pas kaq shumë dekadash.
“Rrethimi i Sarajevës nuk ka qenë vetëm një operacion ushtarak, por një proces i shthyrjes së plotë morale, në të cilën vrasja e civilëve konsiderohej një gjë normale. Nëse konstatohet se akuzat për ‘Sarajevo Safari’ janë të vërteta, ky nuk do të jetë thejsht një krim lufte, por edhe një provë e dehumanizimit që shkon përtej ideologjisë, kombit dhe ushtrisë dhe hyn në sferën e kulturës së dhunës. Për këtë ngjarje po flitet pas më se tridhjetë vjetësh, jo sepse faktet nuk diheshin ose sepse historia nuk është e qartë, por sepse vetëm tani shoqëritë po bëhen të gatshme të pranojnë atë që nuk ishin në gjendje ta prasnonin më parë. Gazetari italian është marrë me vite me hetimin e këtij rasti, por çështja u bë objekt i mediave vetëm pasi ai bëri kallëzim në gjykatën e Milanos|, ka thënë Biserko për mediumin Slobodna Bosna.
Biserko, ka deklaruar se rasti “Sarajevo Safari” përfaqëson një nga shembujt më ekstremë të degradimit moral gjatë rrethimit të Sarajevës dhe hedh hije të rënda mbi elitën politike serbe të viteve ’90. Ajo ka thënë se tashmë është e konfirmuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë fizikisht i pranishëm te varrezat hebraike në kohën që ka ndodhur “Sarajevo Safari”.
“Vuçiq ka qenë në varrezat hebraike derisa Sarajeva po qëllohej me armë zjarri, kurse ‘Sarajevo Safari’ dëshmon degradimin e plotë moral të presidentit të Serbisë”, ka thënë Biserko.
Duke komentuar hetimet e mediave perëndimore dhe interesimin e fundit të drejtësisë italiane për këtë rast, Biserko ka thënë se rrethimi i Sarajevës nuk ka qenë vetëm një operacion ushtarak, por “një proces i normalizimit të vrasjes së civilëve”, ku dhuna është shndërruar në përvojë të toleruar, madje edhe për të materializuar.
Biserko ka theksuar se nuk është rastësi që këto histori po dalin në dritë pas më shumë se tri dekadash.
“Shoqëritë po bëhen të gatshme vetëm tani që të përballen me atë që më parë ishte e paimagjinueshme të pranohej”, ka thënë ajo, duke shtuar se hapja e arkivave dhe gatishmëria e dëshmitarëve për të folur po rritet ndjeshëm.
Ajo u është referuar edhe deklaratave kontradiktore të Vojislav Sheshelit, i cili kishte pohuar se radikalët serbë, përfshirë Aleksandar Vuçiqin, kishin qëlluar nga Varrezat Hebraike gjatë rrethimit të Sarajevës, por më pas i ka mohuar këto pretendime.
Biserko ka thënë se dëshmia e Sheshelit ka vlerë vetëm si sinjalizues.
“Shesheli nuk ishte thjesht një vëzhgues i ngjarjeve të luftës, por një mobilizues ideologjik i luftës dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë, sidomos me ata që luftuan në Bosnjë dhe Hercegovinë. Deklaratat e tij kontradiktore janë sigurisht çelës për hulumime, por ato gjithmonë duhet të konsiderohen me kujdes”, ka thënë Biserko.
Emri i Vuçiqit përmendet për shkak të kontekstit të çështjes. Ai ka qenë vullnetar në çetën çetnike dhe ka qenë i pranishëm fizikisht në varrezat hebraike të Sarajevës së rrethuar, prej nga sulmohej kryeqyteti i Bosnjës dhe Hercegovinës nga ushtria serbe e Bosnjës. Ky fakt e bën Vuçiqin aktor të rëndësishëm të kohës, gjë që nuk mund të mohohet. Megjithatë, përgjegjësia penale duhet të provohet. Fakti që ai ka qenë në vendin e krimit sigurisht që ka një peshë të madhe morale dhe mohimi i tij nuk e mbyll diskutimin legjitim rreth përgjegjësisë politike dhe trashëgimisë politike të tij.
Vetë Vuçiq i ka mohuar publikisht akuzat për çfarëdo mënyre të përfshirjes së tij në “Sarajevo Safari”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për krijimin e një gjykate të posaçme për hetimin dhe gjykimin e vrasjeve të civilëve boshnjakë nga snajperët në vitet 1990. Sonja Biserko e mbështet këtë ide, por dyshon se gjasat për themelimin e një gjykate të re ndërkombëtare për çështje të Ballkanit janë të vogla.
“Mendoj se shanset për një gjykatë të re ndërkombëtare janë të vogla, por vetë ideja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është domethënëse,sepse tregon se lufta e viteve nëntëdhjetë nuk ka mbaruar në shoqëritë tona”, ka thënë ajo.
Hetimet për rastin “Sarajevo Safari” janë rihapur më 9 shkurt 2026, në Itali. Autoritetet italiane e kanë marrë në pyetje një shtetas italian të dyshuar për pjesëmarrje në këto ngjarje.
Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko është shprehur skeptike për një epilog gjyqësor. Por, ajo ka theksuar se pavarësisht prej epilogut të gjyqësorit, skandali “Sarajevo Safari” tashmë ka ndikuar negativisht në imazhin ndërkombëtar të Presidentit Vuçiq dhe e ka forcuar perceptimin se ai ka qenë pjesë e mbështetjes politike për agresionin serb ndaj Bosnjës e Hercegovinës.
“Edhe pa një dënim formal, kjo histori mbetet një njollë morale dhe në kujtesë se krimet e së kaluarës nuk janë mbyllur shoqërisht”, përfundoi Biserko.
“Aktorët kryesorë globalë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina dhe Bashkimi Evropian – tashmë po e shohin atë [Vuçiqin| me mosbesim në rritje”, ka theksuar ajo.
(r.m.)