Biserko: Nuk pres marrëveshje Kosovë – Serbi, pa praninë e SHBA-së

Prishtinë, 26 qershor 2024 – Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, tha se ajo nuk pret marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo tha se Bashkimin Evropian duhet të ketë qëndrim më të fortë ndaj Serbisë.

“Ky qëndrim ka qenë shumë paqësor e, megjithatë, nuk po shihet ndonjë ndryshim sa i përket procesit të integrimit [të Serbisë] në BE”, tha Biserko, në tryezën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA” në Prishtinë.

Zonja Biserko tha se komuniteti serb në pjesën veriore të Kosovës është vënë në lajthitje me idenë se ndarja e kësaj pjese nga Kosova është e mundur. Ajo tha se shoqëria civile duhet të mendojë për një strategji të re të veprimit që do ta bindte gradualisht komunitetin serb se ndarja është opsion joreal dhe të ndihmojë serbët të çlirohen nga ndikimi i Beogradit dhe të intergrohen në Kosovë.

“Duhet të ketë një fond ndërkombëtar që, ndoshta, do të ishte një instrument për të ndihmuar integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe krijimin e mundësive ekonomike, me qëllim shkëputjen e varësisë së tyre nga Beogradi”, u shpreh ajo.

Zonja Biserko theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të sillet në një nivel ku nuk do të ketë ndarje etnike dhe se prioritet në dialog nuk duhet të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Unë do ta kundërshtoja argumentin e Serbisë që në dialog e ka prioritet Asociacionin. Në Bosnjë është dëshmuar se ndarja etnike nuk është funksionale. Kjo duhet të sillet në një nivel që te mos ketë ndarje etnike”, theksoi ajo.

Biserko tha se shpreson që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të ndodhë para vendimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duhet të ketë qasje të barabartë…”, tha ajo, duke theksuar se “kjo do të jetë një garancë”.

(r.m.)