Bruksel, 1 korrik 2024 – Kryenegociatoi i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, të martën do të takohet në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviq.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano. Ai ka thënë se Bislimi e Petkoviqi janë ftuar në takim nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Ai ka thënë se palët do të diskutojnë për rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Ai ka thënë se presin nga të dyja palët që të zbatojnë të gjitha detyrimet që kanë marrë nga marrëveshjet e arritura.
“Siç e kemi thënë edhe shumë herë më parë, presim që të dyja palët të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesë të mëtejshme apo parakushte”, ka theksuar Stano.
Këshilltari i Bislimit Klisman Kadiu ka thënë se tema të diskutimit pritet të jenë ecuria e dialogut, zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit si dhe vlerësimi i marrëveshjeve të tjera teknike dhe masa e zbatimit të tyre.
“Kosova mbetet konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në një proces, i cili përkundër vullnetit tonë, është pasuar me bllokada dhe refuzime të shpeshta nga pala tjetër. Marrëveshjet duhet të zbatohen në plotni e qasja të jetë e barabartë për të dyja palët”, ka theksuar Kadiu.
Javën që shkoj përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, ata nuk kanë arritur t’i takojnë bashkë Kurtin e Vuçiqin. Borrell bëri të ditur se kryeministri i Kosovës i ka shtruar tri kushte për takim me presidenti e Serbisë: dorëzimin e udhëheqësit të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësve të tjerë, nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, dhe tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, në të cilën thuhej se Serbia nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes.
(r.m.)