Bislimi: Ekzistojnë tri qëndrime lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën

Prishtinë, 13 tetor 2022 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në mbledhjen e grupit punues për vizat në Këshillin Evropian, më 13 tetor në Pragë, janë shprehur tri qëndrime lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”, ka thënë ai në një intervistë Bislimi për televizionin ATV.

Bislimi ka bërë se në takimin e Pragës janë paraqitur tri opsione: lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, harmonizimi i sistemit kosovar të vizave me atë të Bashkimit Evropian dhe marrëveshja për riatdhesimin e qytetarëve.

Bislimi ka thënë se këto opsione, ndonëse bëhet fjalë për çështje teknike, janë kushte të reja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova është udhëzuar të diskutojë me vendet anëtare për kërkesat e reja, në mënyrë që të shtyjë përpara procesin dhe të sigurojë konsensusin e nevojshëm në mbledhjen e ardhshëm të grupit punues për viza, që do të mbahet më 9 e 10 nëntor të këtij viti.

(r.m.)