Bislimi intervistohet nga pokuroria në cilësinë e dëshmitarit, ai e quan intervistimin “prodhim medial”

Prishtinë, 18 qershor 2025 – Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë se Bislimi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën, në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit Besnik Bislimi|, ka deklaruar Luta për Telegrafin.

Ajo ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje, sepse çështja është në fazën fillestare të hetimeve.

Ndërkaq, Bislimi ka thënë se ai ishte ftuar në prokurori në cilësinë e dëshmitarit, por ka theksuar se pyetjet që i janë bërë nuk mund të përkojnë me ato që i bëhen një dëshmitari. Ai ka shtuar se informacionet që ka prezantuar në prokurori mund të ishin siguruar lehtësisht nga prokuroria, pa qenë e nevojshme thirrja e tij për intervistë.

“Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Po ashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Sipas tij, këto fakte dëshmojnë se intervistimi i tij në prokurori kishte qëllim “prodhimin e lajmit medial” me tituj bombastikë, gjë që, siç është shprehur Bislimi, “e vendos prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka”.

“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, si dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin ‘skandal’. ‘Skandal’ që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendos prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka shkruar Bislmi.

Kohë më parë, lidhur me çështjen e dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore është intervistuar në Prokurorinë Speciale edhe ministry në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në çfarëdo veprimi që e inkriminon lidhur me çështjen në hetim.

Çështj e dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore është ngritur fillimisht nga mediet, ndërsa është konsumuar nga partitë politike opozitare. Ato e trajtuan këtë çështje edhe në kontekst të bllokimit të procesit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas votimit për kryetar të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është forca kryesore politike në Kosovë, nuk i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Por, as partitë opozitare nuk mund t’I sigurojnë votat për formimin e qeverisë, përveçse nëse atyre u bashkohet partia më e madhe serbe, Lista Serbe, e cila deri më tash nuk ka shprehur kurrfarë interesi për përfshirje në qeverinë e Kosovës.

(r.m.)