Prishtinë, 21 maj 2025 – Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se fondet që do t’i përfitojë Kosova nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin për shkak të vonesës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Bislimi ka thënë se vonesa në procesin e draftimit të agjendës së reformave është pasojë e vonesës së aprovimit të Planit të Rritjes nga Këshilli i BE-së.
“Si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’u përmbahet afateve të tij të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’u përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, ka shkruar ai.
Bislimi ka thënë se fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian do të disbursohen sapo marrëveshja të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.
“Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen”, ka shkruar ai.
Bislimi.ka thënë se ministritë dhe institucionet kompetente “po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave”, pavarësisht prej ngërçit në procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen”, ka theksuar Bislimi.
Partitë opozitare e akuzojnë kryeministrin në detyrë Albin Kurti për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Sipas tyre, kjo bllokadë do të pamundësojë disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Shqetësimet për vonesa të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i BE-së ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
, në takimin me liderët e partive politike, pas dështimit për disa herë radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“… disa prej pasojave me të cilat mund të ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë edhe zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së”, ka thënë Osmani.
Kosova pritet të përfitojë afër 900 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Postimi i plotë i Bislimit:
Është shkaktuar një mjegulli e madhe në raport me fondet që Kosova pritet t’i pranojë nga Plani i Rritjes së BE-së, andaj më lejoni të qartësoj situatën për opinionin publik.
Fillimisht, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme përveçse në kohë, edhe me cilësi.
Mirëpo, si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë.
Sidoqoftë, është mëse e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.
Së fundmi, edhe pse konstituimi i Kuvendit ende nuk është përfunduar, dhe anëtarët e Qeverisë janë në detyrë, aparati shtetëror prapë funksionon si gjithmonë. Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen.
(r.m.)